25-04-2024

Prizren: Polici akuzohet se përvetësoi 5 eurot e të ndaluarit, mbrojtja kërkon hedhjen e aktakuzës

Zyrtari policor, Selman Ukzeza, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza ndaj tij, e cila e ngarkon atë për përvetësim në detyrë.

Një kërkesë të tillë, i akuzuari Ukzeza e ka paraqitur në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Avni Thaqit.

Zyrtari policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, Selman Ukzeza, akuzohet se në maj të vitit 2019, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, bën regjistrimin e gjësendeve të tij, me ç’rast përvetëson njërën nga bankënotat prej pesë euro që i posedonte i dëmtuari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për hudhje të aktakuzës, avokati Avni Thaqi, e ka paraqitur në formë të shkruar, më 2 dhjetor të këtij viti, për të cilën gjyqtari Xheladin Osmani, ka deklaruar se do ta shqyrtojë dhe do të kthejë përgjigje në formë të shkruar.

Mirëpo, ketë kërkesë, në shqyrtimin e dytë e ka kundërshtuar prokurori i rastit, Metush Biraj, i cili ka thënë se pretendimet e mbrojtësit nuk qëndrojnë, pasi që ai ka prova dhe fakte në të cilat e ka mbështetur aktakuzën.

“Gjatë provave të cilat janë grumbulluar gjatë hetimit, prova këto të cilat kanë qenë të bashkëngjitura edhe në aktakuzë, ka dyshim të bazuar mirë se i pandehuri, ka kryer veprën penale që është objekt i kësaj aktakuze”, ka thënë prokurori Biraj, në kundërshtimin e tij.

Mbrojtësi i të pandehurit, avokati Thaqi, ka kërkuar që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet shefi i Qendrës së Ndalimit, Bahtiar Belloda, i cili sipas tij, do të jep informacione mbi personalitetin e të pandehurit.

foto per web 30.12.2019

Gjyqtari Osmani, pasi që ka aprovuar kërkesën e avokatit mbrojtës për dëgjimin e dëshmitarit, ka thënë se shqyrtimin kryesor për këtë rast do ta caktojë pas formimit të trupit gjykues.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 31 tetor 2019, e akuzon Selman Ukzekën se më 10 maj 2019, në cilësinë e zyrtarit policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tij.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, i drejtohet me pyetjen: “A janë këto gjësende, 2×5 euro, aksesori, ora e dorës dhe kuleta e juaja?” dhe në momentin kur i ndaluari shfrytëzon tualetin, i akuzuari bën regjistrimin e gjësendeve, me ç’rast përvetëson njërën nga bankënotat prej pesë euro.

Sipas aktakuzës, kur i dëmtuari del nga tualeti, i pandehuri ia jep formularin për nënshkrim, e bastis në trup dhe e dërgon në dhomë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri, pas 30 minutave, shkon në dhomën e ndalimit dhe e pyet të dëmtuarin për disa kartëmonedha të huaja, të cilat pasi i nxjerr nga kuleta ia ofron të dëmtuarit në shikim, e më pas në formular të pranimit e regjistron se i dëmtuari, përveç gjësendeve të lartpërmendura, i ka pasur vetëm 5 euro e 20 cent. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.