Prizren: Ponte fiton derbin lokal ndaj Bashkimit

Skuadra e Ponte Prizrenit është kthyer te fitorja në elitën e basketbollit kosovar. Pas humbjes që e pësoi vikendin e shkuar në shtëpi nga Sigal Prishtina, Ponte Prizreni të mërkurën në palestrën “Sezai Surroi” mposhti rivalin lokal, Bashkimin.

Ndeshja e xhiros së gjashtë, përfundoi me rezultatin 81:77 përkundër që ishte në disavantazh prej 16 pikëve. Për Ponte Prizrenin, kjo ishte fitorja e tretë këtë edicion që e ngrit në kuotën e nëntë pikëve derisa Bashkimi regjistroi humbjen e pestë dhe ka shtatë pikë të tubuara.

Arti Hajdari me 28 pikë të shënuara, udhëhoqi Ponte Prizrenin drejt fitores ndaj Bashkimit derisa me lojë të mirë të ekipi fitues, u veçuan edhe Xavier Cannefax (17) e Josh Martin që pati 13 pikë e 17 kërcime. Te Bashkimi më i dalluari ishte Nikola Vukçeviq me 24 pikë, i përcjellë nga Musab Mala (18) e Shazville Carter (16).