24-11-2024

Prizren: Prej 18 vitesh, Policia vazhdon mbikëqyrjen e kishave serbe ( VIDEO )

Ndonëse kanë kaluar më tepër se 18 vjet,  Policia e Kosovës vazhdon mikëqyrjen e pandërprerë të objekteve fetare ortodokse në rajonin e Prizrenit.

 

Pas trazirave të marsit 2004 , në kuadër të masave të sigurisë ndaj kishave ortodokse, është aplikuar kujdestari e pandërprerë,  24 orëshe, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Fillimisht, objektet i kanë ruajtur pjesëtarët e KFOR-it. Nga viti 2009,  sigurimin e tyre e ka marrë Policia e Kosovës. Në këtë kontekst në rajonin e Prizrenit janë të angazhuar mbi 50 policë,

Referuar zyrtarëve, pos ndonjë rasti të vjedhjes apo tentim vjedhjes, nuk kanë ndodhur incidente të tjera, derisa shërbyesit fetar të këtyre objekteve lëvizin lirshëm.

Në kishat ortodokse ka vizita të shpeshta, madje edhe nga Serbia. Vizitat e tyre behën edhe në pikë të ditës dhe vizitorët shëtisin në këmbë edhe nëpër qytet.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Ligji për Policinë, Plani i M. Ahtisaarit dhe dokumente të tjera ligjore, parashohin edhe ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjen  për vendet/objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore në Republikën e Kosovës.

Si rezultat i këtyre obligimeve, në vitin 2013 është formuar Njësia e veçantë policore për Sigurimin e Objekteve  të Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare (NJSOTKF), me seli në Prizren.

Sipas togerit Shaqir Bytyqi, zëdhënës rajonal i policisë në Prizren, në sigurim janë 6 (gjashtë) pika statike, por që gjithsej indetifikohen si 8 objekte. Pesë prej tyre gjenden në lokacione, që i përkasin zonës së Prizrenit.  Njëra nga pikat statike,  manastiri „Shën Vraçe“ në fshatin Zaqisht, pas riorganizimit të regjioneve, ka kaluar në zonën e Policisë së Gjakovës, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Në Prizren masa të tilla sigurie aplikohen për kishën e „Shën Premtës-Levishka“ , shkollën e mesme fetare ortodokse „Bogosllavija“, pastaj kompleksin e katedrales „Shën Gjorgji“, kishën e „Runoviçëve“  kishën e „Tutiçit “ ( të tria në sheshin “Shatërvan”) , pastaj kishën e „Shën Kiriakes“ ( lagjja „ Nënkalaja“  si dhe manastirin „Shën Arhangjeli”,  që gjendet në rrugën për Reqan të Prizrenit.

Sipas autoriteteve vlerësimi i rregullt i sigurisë bëhet dy herë në vit.

Derisa policët vazhdojnë të kujdestarojnë non-stop tek këto objekte, zyrtarët policorë në Prizren, disa herë janë ankuar për numër të pamjaftueshëm të pjesëtarëve për t’i mbuluar nevojat e tjera në fushën e sigurisë, në këtë rajon. /GazetaePrizrenit.net /

Asnjë koment

Comments are closed.