08-05-2024

Prizren: Prokuroria tërhiqet nga akuza për zyrtarin e Infrakos, kërkon dënimin e 6 të akuzuarve të tjerë

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, në fjalën përfundimtare, prokurori Genc Nixha ka thënë se tërhiqet nga akuza për të akuzuarin Naim Avdyli, bashkëpunëtor profesional i “Infrakos”-it në Prizren, kurse ka kërkuar dënimin e të akuzuarve Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqi dhe Agron Thaçi. Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar lirimin e tyre.

Në këtë rast, po akuzohen tre ish-drejtorët e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu e Visar Islamaj, ish-drejtori i Inspektorateve në Prizren, Bujar Nerjovaj, ish-inspektori i ndërtimit Bashkim Krasniqi, dhe Agron Thaçi, ish-kryeshef ekzekutiv i Infrakos-it raporton “Betimi për Drejtësi”. 

Prokurori Nixha, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se pas mbajtjes së seancave të kësaj çështje, nxjerrjes së provave dhe administrimit të tyre, ka ardhur në përfundim se është vërtetuar teza e ngritur në aktakuzë dhe se të akuzuarit kanë kryer veprën penale e cila iu vihet në barrë, prandaj dhe ka propozuar që gjykata të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, prokurori tha se tërhiqet nga ndjekja penale për të akuzuarin Avdyli, i akuzuar për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ngase nuk është vërtetuar që i njëjti ka kryer këtë vepër penale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Paqarizi, avokati Arben Shala ka thënë se aktakuza e ngritur është pabazuar pa provuar dhe nul është baza ligjore, dhe se që nga fjala hyrëse e gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor ndaj të mbrojturit të tij është vërtetuar se nuk ka asnjë provë materiale dhe personale për të cilën aktakuza i vihet në barrë.

Ai ka shtuar se i akuzuari Paqarizi ka vepruar konform procedurave dhe dispozitave ligjore dhe ka kërkuar nga gjykata që për të akuzuarin të merret aktgjykim lirues.

Me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, është pajtuar i akuzuari Paqarizi, i cili shtoi se ka  respektuar të gjitha aktet dhe vendimet të cilat i kanë miratuar asambletë komunale dhe se nuk ka kurrfarë përgjegjësie për degradimin e hekurudhës dhe se detyrë e tij nuk ka qenë mbrojtja e zhvillimit apo ruajtja e pronave të cilat i takojnë të tjerëve, në këtë rast hekurudhës.

I akuzuari Nijazi Kryeziu, në fjalën përfundimtare të tij ka thënë se gjatë punës së tij ka respektuar Planin Rregullativ Urbanistik të Komunës së Prizrenit dhe se asnjëherë nuk ka qenë qëllimi i tij të dëmtojë interesin publik.

Ai ka shtuar se edhe sot e kësaj dite lëshohen leje ndërtimore në bazë të këtij plani rregullues urbanistik, me kushte të njëjta, andaj dhe ka kërkuar që ndaj tij të shqiptohet aktgjykim lirues.

Mbrojtësi i të akuzuarit Islamaj, avokati Granit Vokshi në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është provuar se i mbrojturi i tij nuk ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autortetit zyrtar”, ngase asnjëra nga elementet e veprës penale nuk janë përmbushur në rastin konkret.

Tutje, Vokshi ka thënë se kanë provuar se Islamaj ka vepruar në përputhje me ligjet në fuqi, në përputhje me vendimet e organeve më të larta të cilat ka qenë i obliguar t’i ekzekutojë, organeve mbikëqyrëse (të shkallës së dytë), si dhe vendimet e gjyktave lidhur me këtë çështje.

Po ashtu, Vokshi ka thënë se bazuar në aktakuzë, vlera e pretenduar e dëmit që i është shkaktuar kompanisë “Infrakos” është 104 mijë e 674 euro 61 centë, duke shtuar se kjo nuk mund të shërbejë si provë kredibile në këtë procedurë penale, për shkak se e njëjta nuk është hartuar nga persona kompetent-ekspert të fushës, është hartuar nga pala që pretendon të jetë e dëmtuar.

I akuzuari Islamaj, ka deklaruar se pajtohet me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nerjovaj, avokati Blerim Mazreku në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se ka siguruar një provë materiale për rastin “Liburnia” dhe atë aktakuzën ndaj Destan Hoxhës, investitor për të cilin akuzohet i mbrojturi i tij, Mazreku ka thënë se sipas provës së siguruar rrjedh se uzurpimi ka ndodhur gjatë vitit 2014 deri në vitin 2018, e që në këtë kohë Nerjovaj nuk ka qenë drejtor i Inspektorateve.

Mazreku ka thënë se nga provat e propozuara për administrim në atë rast vërehet se uzurpimi është vërejtur tek në vitin 2017, kur është përpiluar procesverbali me numër 8/17, të datës 23 maj 2017. Sipas tij, vetë prokuroria me aktakuzat e saj tregon se ngjarja ka ndodhur në kohë kur i mbrojturi tij nuk ka ushtruar pozitën e drejtorit.

I akuzuari Nerjovaj, është pajtuar me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, duke shtuar se nuk e ndjen veten fajtor dhe ka kërkuar që ndaj tij të merret aktgjykim lirues.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, Visar Ostrozubi në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se i mbrojturi tij ka vepruar sipas autorizimeve ligjore, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura, duke rrënuar pjesën e ndërtuar pa leje nga investitori Destan Hoxha, dhe pas rrënimit të pjesës së ndërtuar pa leje ndërtimore pjesa e uzurpuar i është dorëzuar në posedim të lirë pronarit legjitim “Infrakos”.

Ostrozubi ka thënë se me administrimin e provave është paraqitur edhe një gjendje tjetër faktike se ajo e pretenduar në aktakuzë, ngase sipas tij Krasniqi ka ndërmarrë të gjitha veprimet duke i ndaluar punimet, duke lajmëruar organet e Policisë, duke marrë konkluzion për rrënimin e saj, por pamundësitë teknike dhe mungesa e pajisjeve për rrënimin e objekteve në katet e epërme nga ana e kompanisë kontraktuese ka pamundësuar rrënimin e saj.

Me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, është pajtuar i akuzuari Krasniqi.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Thaçi, avokati Skender Morina ka thënë se fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, të cilën e elaboroi para trupit gjykues dhe palëve në procedurë.

I akuzuari Agron Thaçi në fjalën përfundimtare deklaroi se pajtohet në tërësi me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij.

Sipas tij, degradimi i infrastrukturës hekurudhore në zonën kadastrale të Prizrenit ka ndodhur që nga 2004, dhe është e çuditshme pse dispozitivi i aktakuzës merret vetëm për periudhën kohore prej vitit 2012 deri në vitin 2014, ndërsa degradimi ka ndodhur edhe shumë vite më herët dhe ka qenë degradim total, ku infrastruktura hekurudhore ka qenë jashtë përdorimit.

Thaçi ka thënë se nuk është kryerës i veprës për të cilën akuzohet dhe ka kërkuar që ndaj tij të shqiptohet aktgjykim lirues.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha ka thënë se seanca e planifikuar për 17 janar anulohet, kurse shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 20 janar 2023.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadik Paqarizit, Nijazi Kryeziut, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqit, Agron Thaçit dhe Naim Avdylit, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Paqarizi, Kryeziu, Islamaj, Nerjovaj, Krasniqi, Thaçi dhe Avdyli, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat, nuk i kanë përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, duke i shkaktuar dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Paqarizi, në periudhën kohore 2012-2014, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka lëshuar leje ndërtimi firmës “Breu Petrol”, më 9 gusht 2012, leje ndërtimi për personin Reshat Kamberi, më 25 korrik 2013 dhe leje ndërtimi për personin Xhavit Spahija, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik, i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar  dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kryeziu, në periudhën kohore 2014-2016, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi personit Nexhat Bytyqi, më 30 maj 2014 dhe leje ndërtimi për personin Avni Haliti, më 21 maj 2014, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është  në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Me ç’rast, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Në aktakuzë thuhet se edhe i akuzuari Islamaj, në periudhën kohore 2016-2017, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi për firmën “Fat Grup”, më 6 mars 2017, po ashtu leje ndërtimi për personin Agron Kuka, më 3 maj 2017, leje ndërtimi për personin Mexhid Karavidaj, më 29 nëntor 2016, si dhe leje ndërtimi për personin Nrec Thaqi, më 8 prill 2017, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është  në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Me ç’rast, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Nerjovaj, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit për Inspekcion në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i njoftuar rreth mbindërtimit dhe uzurpimit në ndërtesën “Liburnia”, me pronar Destan Hoxhën, e cila ka qenë në ndërtim gjatë mandatit të tij, i cili ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, duke u bazuar në Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Nerjovaj, ka lejuar edhe ndërtimin e katit të shtatë edhe përkundër  konkluzionit të nënshkruar nga ana e tij, më 8 prill 2014, nuk është dhënë urdhër që i njëjti të zbatohet e që ka qenë kompetencë e tij, si dhe po ashtu ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari i ndërtesës-investitori ka bërë mbi pronën e hekurudhave “INFRAKOS” dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim parandalues.

Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOSIT”, në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Gjithnjë sipas së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Bashkim Krasniqi, gjatë vitit 2012, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i caktuar për inspektimin e këtij ndërtimi, ku objekti, ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, dhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka lejuar që të bëhet mbindërtimi, pra edhe i katit të shtatë, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, si dhe ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.

Ndërkaq, i akuzuari Thaçi, gjatë vitit 2013, në Fushë Kosovë, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e kryeshefit të “INFRAKOS”, thuhet se nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, ku në nenin 128, paragrafi 2, parashihet që punët mbrojtëse, përfshirë edhe masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, duke mos marrë pjesë në diskutimet publike për planin rregullativ urban për Komunën e Prizrenit, ku është marrë edhe Plani Rregullativ Urban i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.

Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Avdyli, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e menaxherit të patundshmërive dhe bashkëpunëtorit profesional pranë “INFRAKOS” nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, për masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në apo në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.

Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Me këtë, të gjithë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.