24-11-2024

Prizren: Promovohet libri kushtuar nënës i gjeneralit shqiptar Kudusi Lama

Përfaqësues të institucioneve të ndryshme, miq e bashkëpunëtorë të autorit, sot në Prizren morën pjesë në promovimin e librit monografik “Nëna ime, Mihane Lama”, të gjeneralit shqiptar, Kudusi Lama, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Para të pranishmëve në kompleksin “Europa”, albanalogu nga Tirana, Emil Lafe ndër të tjera tha se ky libër meriton vlerësime  të larta, sepse sakrifica e nënës gjatë gjithë jetës së saj, paraqet vlera të pazëvendësueshme të çdo nëne shqiptare.

Ai vlerësoi Lamen si një autor që zotëron mirë artin e narracionit dhe si i tillë sjell para lexuesve protagonistët e librit si të gjallë, duke thënë se kur ka marrë ta lexojë librin ka menduar që do të ishte pak a shumë si librat e tjerë për nënën, i shkruar nga i biri, për sakrificat e saj në kushtet e vështira dhe prapambetjes. “Tek ky libër u ballafaqova me një gjeneral që zotëron artin e narracionit. Ai ka sjellë të gjallë në këtë libër figurën e nënës historinë dhe epokën. Pos tjerash libri është i mirëseardhur edhe për të rinjtë për ta ditur të kaluarën e nënave shqiptare”, tha Lafe.

Për librin kanë folur edhe, Berat Batiu nga Revista “Fidani”, e cila ishte organizatore e këtij aktiviteti, dhe profesor Agim Zogaj, i cili tha ndër tjera se nëna është personifikim i mirësisë shqiptare, ndërsa autori Lame përmes këtij libri pothuajse paraqet rrugëtimin e nënave shqiptare.

Autori Kudusi Lama, ndërkaq tha se nënat janë të shenjta, dhe se këtë libër ai e ka shkruar me dashurinë më të madhe për nënën e tij, derisa pyeti të pranishmit nëse kishte ndonjë që nuk kishte pranuar urdhra nga nënat, duke e ndërlidhur këtë me urdhrat që ai duhet të pranonte nga aspekti ushtarak.  Ai kujtoi kur gjatë kohës së monizmit në Shqipëri,  se sa here dilte në detyrë në bjeshkët që shikonin nga Kosova, kur kthehej shtëpia i mbushej për dy javë me mysafirë që interesoheshin se si dukej Prizreni e Kosova.

Ndryshe, për kontributin e tij në ditët vendimtare të shqiptarëve të Kosovës në vitet e shekullit të kaluar, gjeneral Kudusi Lame, nga viti 2009 është shpallur edhe Qytetar Nderi i Prizrenit./GazetaePrizrenit.net/

Fotografia e Besart Galica

Fotografia e Agon Hukallo

 

Asnjë koment

Comments are closed.