Prizren: Testi i arritshmërisë, rezultatet e para vlerësohen të kënaqshme
Ndonëse ende nuk është bërë raporti përfundimtar, rezultatet e para të testit të arritshmërisë në komunën e Prizrenit vlerësohen si të kënaqshme, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Nëpër institucionet shkollore të komunës tashmë janë shpallur rezultatet e nxënësve nga testi i arritshmërisë, për klasat e nënta. Në disa sosh ka pasur mangësi, pasi kanë munguar rezultatet për disa nxënës, andaj drejtuesit e shkollave kanë bërë kërkesat për plotësimin e të gjitha të dhënave.
Por, ende nuk ka ndonjë rezultat përfundimtar rreth suksesit në nivel komune.
Drejtori i DKA-së në Prizren, Skënder Susuri ka thënë se rezultatet në nivel komune përgatiten pasi të pranohen raportet apo informacionet nga shkollat, ndërsa kjo pritet të bëhet e mundshme në fillim të javës së ardhshme.
“Nga një vëzhgim i përgjithshëm i tabelave individuale të shkollave, del se rezultatet e para të testit të arritshmërisë janë të kënaqshme”, ka thënë ai për portalin “GazetaePrizrenit.net”.
Testit të arritshmërisë për klasat e nënta në komunën e Prizrenit i janë nënshtruar 2.710 nxënës, nga shkollat publike dhe ato private.
Deri tash, rezultatet publike i ka bërë vetëm shkolla private “Loyola – Gymnasium” në Prizren. Në një njoftim bëhej i ditur se nxënësit e saj në këtë test kanë kalueshmëri 100 për qind, ndërsa përqindja e arritshmërisë është 77 për qind.
Testi që ka për qëllim të mundësojë orientimin më të lehtë të nxënësve në shkollimin e mëtejmë, kontrollohet nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.
Pikët e fituara do t’i ndihmojnë nxënësve të orientohen për regjistrim në shkollën e mesme.
Testi përmbante 100 pyetje nga lëndët gjuhë shqipe, matematikë, gjuhë angleze, kimi, fizikë, gjeografi, histori, informatikë. /GazetaePrizrenit.net/