Prizren: Shtyhet seanca pasi i akuzuari për korrupsion nuk deklarohet para prokurorit zëvendësus

Në Gjykatën Themelore në Prizren, këtë të premte, është shtyrë seanca gjyqësore për shkak se i akuzuari Nuro Ismaili ka kërkuar që me rastin e dhënies së mbrojtjes së tij të jetë prezent prokurori i çështjes Mehdi Sefa.

“Prokurori i çështjes ka qenë prokurori Mehdi Sefa dhe ai është prokurori i cili e di më së miri rrjedhën e procedurës, tani jemi në fazën ku unë duhet të jap mbrojtjen time dhe mendoj se në seancë duhet të jetë prezent prokurori i çështjes”, tha i akuzuari Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Metush Biraj, i cili ka zëvendësuar prokurorin Sefa, nuk e ka kundërshtuar kërkesën e të akuzuarit Ismaili dhe i njëjti ka propozuar që seanca e sotme të shtyhet.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi, ka ndërprerë seancën e sotme, kurse seanca e radhës është caktuar të mbahet më 12 shtator 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 30 nëntor 2020, Nuro Ismaili po akuzohet se nga 18 marsi 2019 e deri më 28 qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi” .