16-04-2024

Prizren: Të akuzuarit për armëmbajtje pa leje i shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik

Gjykata Themelore e Prizrenit, të martën, i ka shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, të akuzuarit për armëmbajtje pa leje, Reshit Bytyqi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Raima Elezi, masa e tillë është shqiptuar në kohëzgjatje prej 2 vite, në Repartin e Psikiatrisë në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Elezi deklaroi se masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri ndaj të pandehurit Bytyqi është masë e nevojshme, pasi tha se i njëjti do të shmanget nga kryerja e veprave tjera penale.

Për këtë rast, Reshit Bytyqi akuzohet se më 18 shtator 2019, në shtëpinë e tij, gjatë një kontrolli të kryer nga policia, i është gjetur në posedim armë-pushkë AK 47, e kalibrit 7.62 mm, si dhe dy karikatorë të së njëjës pushkë.

Në aktin akuzues thuhet se në shtëpinë e të akuzuarit Bytyqi është gjetur edhe një pushkë e gjuetisë “Cifsa”, e kalibrit 12 AG, 53-fishekë të kalibrit 7.62mm, 6 fishekë të kalibrit 12 AG dhe një palë pranga të ngjashme me ato të policisë.

Për këtë, Bytyqi akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajta në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndryshe, një masë e tillë ndaj Bytyqit ishe shqiptuar edhe me 16 dhjetor të vitit të kaluar, për veprën penale “fajdeja”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren thuhej se i akuzuari Bytyqi, nga 1 korriku 2008 e deri më 21 gusht 2017, në vazhdim, në Prizren, ka kontraktuar për vete një shumë dukshëm jo proporcionale, në këmbim të shërbimit për personin Shemsedin Berisha, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe shëndetësore të dëmtuarit.

Sipas vendimit, këtë e ka bërë në atë mënyrë që të njëjtit i jep para me faje në shumën prej 26 mijë euro, me kamatë mujore prej 15%, dhe atë: me 1 korrik 2008 shumën prej 3 mijë euro, me 1 shtator 2008 shumën prej 10 mijë euro, me 2 maj 2009 shumën prej 10 mijë euro, me 1 korrik 2011 shumën prej 2 mijë euro, me 24 nëntor 2015 shumën prej 1 mijë euro, dhe prej tij më 21 gusht 2017 kërkon një shumë jo proporcionale prej 64 mijë euro.

Me këto veprime ai thuhej se ka kryer veprën penale “fajdeja”, nga neni 343, paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me vendimin e gjykatës në fjalë, Reparti i Psikiatrisë në Prizren është obliguar që ta trajtojë në pikëpamje psikiatrike kryerësin, duke e udhëzuar për periudhën e saktë në të cilat duhet paraqitur për trajtim.

Ky Repart gjithashtu është obliguar që në periudhën çdo 6 mujore ta njoftojë me raport të veçantë Departamentin Për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prizren, për ecurinë e trajtimit të obligueshëm psikiatrik. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.