Prizren: U fjalosën në trafik, shoferi del nga vetura dhe godet me grusht 34-vjeçarin – ik nga vendi i ngjarjes

Shoferët në qytetet e ndryshme të Kosovës shpesh hasin në probleme mes vete për shkak të mosmarrëveshjeve në trafik. Ato ka raste kur eskalojnë edhe në të shara e në sulme fizike, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në rrugën ‘Edit Durham’ në Prizren, ku dy shoferë ishin fjalosur mes vete në komunikacion. Kjo kishte bërë që njëri nga ta të sulmojë fizikisht shoferin tjetër 34-vjeçar duke e goditur me grusht.

Sinjali mëson se menjëherë pas kësaj, i dyshuari është larguar bashkë me veturën e tij nga vendi i ngjarjes, ndërsa 34-vjeçari ka njoftuar Policinë për atë që ka ndodhur.

Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë intervistuar 34-vjeçarin, i cili më pas është dërguar në spital për shkak të lëndimeve të marra nga incidenti.

Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për të identifikuar dhe arrestuar personin e dyshuar, ndërsa me vendim të prokurorit është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’.