Prizren: Vlerësohet kontributi i mjekut, Ahmet Goçaj
Në amfiteatrin e universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit “Prim.Dr.Daut Mustafa”, të martën ka organizuar akademi përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e mjekut dhe veteranit të UÇK-së, dr. Ahmet Goçaj.
Drejtoresha e këtij spitali, Narqize Arënliu-Hoxha, tha për të ndjerin se ishte një njeri i dashur, vizionar dhe i aftë sepse t’i shërbesh popullit tënd është detyrë profesionale dhe humane.
Shefi i repartit të gjinekologjisë, dr. Shukri Lecaj, u shpreh se Ahmeti la gjurmë të mëdha në repartin tonë, duke qenë i palodhur, konstruktiv dhe gjithmoë i gatshëm për të ndihmuar.
Doktor Ahmeti ka jetuar një jetë të plotë dhe të përmbushur sepse ka plotësuar dy qëllimet më të rëndësishme në jetë, ka ndërtuar një familje të shëndoshë dhe i ka shërbyer atdheut në kohë të vështira, kështu është shprehur drejtori mjekësor, Hasan Arzoallxhiu.
Bashkëluftëtari i të ndjerit, Ahmet Goçaj, Bekim Morina, tregoi se si student Ahmeti ka qenë një prej themeluesve të Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve të udhëhequr nga Anton Qeta. Ahmeti pajtoi gjaqe, shëroi njerëz të sëmurë dhe mjekoi plagë lirie.
Ai ishte shembull për ushtarët e tjerë dhe dëshirën më të madhe kishte formimin e një spitali ushtarak në vendin tonë, ka thënë tutje Morina.
Në fund bashkëshortja e të ndjerit, Shpresa Llukaj-Goçaj, falenderoi të pranishmit në emër të familjes për respektin dhe mbështetjen e treguar ndaj familjes së tyre, duke shtuar se ndarja nga jeta e Ahmetit na jep mesazhin se duhet ta shohim jetën si një mundësi që na është ofruar për ta bërë pak më të mirë këtë botë.
Mjekut dhe veteranit të ndjerë të UÇK-së, Ahmet Goçaj, iu dha lamtumira e fundit të dielën, varrimi i të cilit u bë në varrezat e Landovicës me një numër të madh të të pranishmëve./tv prizreni /