Delegacioni i Komunës së Prizrenit, të prië nga kryetari Mytaher Haskuka, gjatë qëndrimit në Kroaci është takuar me autoritete të qytetit të Zagrebit, me të cilët janë biseduar çështje të ndryshme, përfshirë edhe atë në fushën e shëndetit mental, ku OJQ kroate “Prevencija droge” parashihet të realizojë projekte në Prizren, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.
“Në kryeqytetin e Kroacisë, në Zagreb, patëm një takim të përbashkët me kryesuesin e asamblesë së Zagrebit dhe deputetin, Andrija Mikulic, sekretaren e asamblesë, Mirjana Lichtner Kristiç, deputetët e parlamentit të Kroacisë, Ivan Çeliq dhe Ermina Lekaj Prljaskaj, si dhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli”, ka shkruar në “facebook” Haskuka.
Sipas tij, në këtë takim është diskutuar për çështje të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin ekonomik me Komunën e Prizrenit, për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit te zona e ish-KFOR-it gjerman, dhe shkëmbimin e eksperiencave për të përfituar nga fondet e Bashkimit Evropian.
“U dakorduam për fillimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetit mental, me anë të organizatës joqeveritare kroate “Prevencija droge”, ku ne si Komunë treguam gatishmërinë për të ofruar hapësirë dhe mundësi për realizimin e projekteve të ndryshme në këtë fushë”, ka thënë kryetari prizrenas.
Ai ka thënë se janë dakorduar për bashkëpunim të mëtutjeshëm ndërmjet qytetit tonë dhe miqve tanë kroat./gazetaeprizrenit.net/