03-11-2024

Prizreni mirëpret mërgimtarët me gatime tradicionale dhe sofrën e shtruar (foto)

Një ekspozim i prodhimeve tradicionale prizrenase, shtruarja e sofrës dhe koncerti i shfaqur për mërgimtarët, mbrëmjen  e sotme,  shënoi aktivitetin “Sofra e gurbetqarëve”, të organizuar buzë lumit, në pjesën e quajtur “Kej”, në qendrën e Prizrenit, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Aktiviteti mbahet nën përkujdesjen e Ministrisë së Kulturës, ndërsa kanë performuar shoqëri artistike që veprojnë në komunën e Prizrenit. Programi është përcjellë nga një numër i mërgimtarëve.

Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, ka thënë se “Sofra” shtrohet për mërgimtarë në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për punën dhe kontributin e tyre që kanë dhënë dhe po japin për Republikën e Kosovës në përgjithësi, e posaçërisht për zhvillimin e jetës kulturore dhe ruajtjen e traditave shqiptare në mërgatë.

Fotografia e Kujtim Gashi

Në kuadër të aktivitetit të organizuar në nderim të mërgatës, ministri ka shpërndarë edhe mirënjohje për individë që kanë kontribuuar për zhvillimin e kulturës së Kosovës, në vendet ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, duke e ruajtur kësisoj traditën, gjuhën e kulturën tonë.

“Ne po punojmë vazhdimisht që organizimet e mirëfillta kulturore të kenë hapësirën dhe përkrahjen e nevojshme ashtu që bashkatdhetarët dhe qytetarët e Kosovës të kenë se çfarë të shohin e dëgjojnë dhe si ministër ndjehem jashtëzakonisht i lumtur për këtë. Bashkatdhetarët tanë kanë nevojë për përkujdesën dhe respektin e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Gashi./GazetaePrizrenit.net/

Fotografia e Kujtim Gashi

 

Asnjë koment

Comments are closed.