03-12-2024

Prizreni ua dha lamtumirën ushtarëve gjermanë (foto-video)

Në qendrën e Prizrenit, në sheshin “Shatërvan” , pasdite u mbajt ceremonia lamtumirëse për ushtarët e KFOR-it gjerman në Prizren.

Për ta shënuar këtë ditë në Kosovë po qëndrojnë  Sekretarja Parlamentare e Shtetit në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Maria Flachsbarth, dhe Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Thomas Silberhorn.

Në Prizren ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Qytetarët e interesuar e përcollën me emocione ceremoninë ushtarake, duke kujtuar pritjen me lule e gëzim të papërshkruar kur ata hyn në Prizren, para 19 vjetësh.

Ushtarët që më 1999 në Prizren erdhën me tanke e armatim të rëndë, tash patën vetëm pistoleta. Për dallim nga atëherë, kur gjatë hyrjes së tyre dëgjoheshin edhe armë, ata kësaj radhe hynë në qendër me bandë muzikore.

Për dallim, nga dita e hyrjes kur qytetarët patën mundësi t’i prekin e përshëndesin edhe duke i përqafuar, sot qendra e Prizrenit ishte mbyllur në një rreth të rezervuar vetëm për ta dhe mysafirët e ftuar, ndërsa qytetarët, si dhe gazetarët  ceremoninë mund ta përcillnin vetëm nga një distancë. /GazetaePrizrenit.net/

Ndërkaq në video-xhirim mund ta përcillni një kronikë të Klan Kosovës.

Asnjë koment

Comments are closed.