Prizrenit i shtohet parku arkeologjik
Në 2014-ën, në Prizren, u gjetën struktura arkeologjike të shekullit III por tek tashti u fillua të punohet që këto gjetje të shfaqen edhe për vizitorë në kuadër të një parku që është në plan të ndërtohet atje.
Kështu qyteti pritet të bëhet me një pikë të re turistike në pranverën e vitit të ardhshëm, kur edhe pritet të përfundohet projekti, njofton Klankosova.tv.
Rrënojat që u gjetën kur atje po synohej të ndërtohej një fontanë, besohet se i takojnë perandorisë romake. Fillimisht u supozua që ndërtesa që tashti duket vetëm si një gropë e thellë është një ‘pagëzimore’, e më pas u mendua se është një villë romake. Megjithkëtë, kjo do të vendoset kur të bëhet konsultimi me arkeologë të asaj periudhe.
Projekti është në fazën e parë të pastrimit të strukturave, për të vazhduar më pas në fazat e restaurimit dhe integrimit në kuadër të sheshit.