16-04-2024

Procedurat mbajnë peng pagat e aktorëve të Teatrit të Prizrenit

Aktorët e teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren ka afër pesë muaj që nuk i kanë marrë pagat e tyre. Anëtarë të caktuar të kësaj trupe kanë thënë se kjo situatë e ka futur në krizë Teatrin në fjalë dhe se pasojat e nuk do të sanohen shumë lehtë.

Ndërkohë autoritetet komunale kanë bërë të ditur se kontrata për realizimin e politikave zhvillimore për kulturë dhe rini është nënshkruar me Teatrin dhe se brenda pak ditësh në këtë kuadër pritet edhe ekzekutimi i pagave të aktorëve.

Aktori i teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren, Alban Çela, ka pohuar se deri të martën nuk i ka marrë pagat e muajve të këtij viti.

Ndërsa aktori tjetër i këtij teatri, Xhevdet Doda, këtë vonesë ia ka atribuuar paaftësisë së Drejtorisë komunale si dhe qasjes mospërfillëse ndaj Teatrit nga Qeveria komunale.

Në anën tjetër, drejtori i Kulturës në Komunën e Prizrenit, Ehat Oreshka, ka pohuar se Komuna ka nënshkruar kontratën me drejtuesin e teatrit “Bekim Fehmiu” për realizimin e politikave zhvillimore për kulturë dhe rini, dhe se në këtë drejtim nuk ka asnjë problem.

“Tani presim vetëm ekzekutimin e pagesave nga sistemi, dhe besoj se kjo do të kryhet brenda këtyre ditëve, dhe aktorët do t’i marrim pagat e tyre”, ka thënë Oreshka./koha.net/GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.