23-11-2024

Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për vrasjen e bashkëshortes, mbrojtja thotë se bëhet fjalë për vetëvrasje

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të enjten, është dhënë fjala përfundimtare, në rastin ku Qamil Hetemi, po akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ndryshe, tre herë ishte vendosur për këtë rast, dy herë nga Gjykata Themelore në Ferizaj, dhe një herë nga Gjykata Themelore e Prizrenit, por çdo herë deri më tani, rasti në fjalë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Prokurori Mehdi Sefa, në fjalën përfundimtare, të cilën gjykatës ia ka dorëzuar me shkrim, e gjatë elaborimit të së njëjtës, ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor në tërësi është provuar dhe vërtetuar aktakuza për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ndaj të akuzuarit Qamil Vetem.

“Mbetem në tërësi në deklaratat e dhëna në shqyrtimet e mëhershme, si dëgjimit të dëshmitarëve, raportit të ekspertizës forenzikës, si dhe ekspertizës së bërë në Zagreb, nga të gjitha këto prova me pa dyshim është vërtetuar se këtu i akuzuari Qamil Hetemi, e ka kryer vrasjen ndaj bashkëshortes së tij”, tha prokurori Sefa.

Ai tha, se sipas ekspertizës së bërë në Zagreb, e njëjta ka rezultuar se nga dora e të akuzuarit Hetemi, është gjetur mbetje e barutit të armës, ndërsa në dorën e viktimës nuk është gjetur diçka e tillë.

“Duke marrë për bazë të gjitha këto prova, me veprimet e të akuzuarit Hetemi, formohen të gjitha elementet e veprës penale, si dhe kërkoj nga trupi gjykues që të akuzuarin ta shpallë fajtorë, dhe ta dënojë sipas ligjit”, tha prokurori Sefa.

Ai tha se gjykata nuk duhet t’ia falë besimin deklaratës së mbrojtjes, pasi që është e qartë se i akuzuari e ka kryer veprën e tillë, e jo siç pretendohet nga mbrojtja, se viktima ka bërë vetëvrasje.

Kurse, mbrojtja e të akuzuarit Hetemi, avokatët Mexhid Syla dhe Rexhep Hasani, fjalën përfundimtare, ia kanë dorëzuar në formë të shkruar gjykatës, e gjatë elaborimit të saj, avokati Syla, tha se organi i akuzës nuk ka arritur të sigurojë ndonjë provë apo fakt vendimtar, me të cilën do të vërtetoheshin pohimet e prokurorisë.

Ai tha, se aktakuza nuk i përmbush standardet e parapara sipas dispozitave të kodit të procedurës penale.

“Sipas akuzës, prokuroria pretendon se për shkak të mosmarrëveshjeve bashkëshortore, i akuzuari Hetemi, e ka privuar nga jeta gruan e tij, tani të ndjerën, ndërsa në asnjë vend në dëshminë e familjarëve, dhënë në këtë proces, nuk kam dëgjuar se raportet e tyre kanë qenë jo të mira, dhe se ata të kenë pasur ndonjë mosmarrëveshje”, tha avokati Syla.

Mbrojtja thotë, se tani e ndjera ka bërë vetëvrasje, kjo ka për bazë deklaratën e vajzës së të ndjerës, e cila në dëshminë e saj dhënë në seancat e kaluara, ka thënë se para se të ndodhë ngjarja, ajo e ka parë të shqetësuar nënën e saj, si dhe duke shkruar disa letra, si dhe ajo sipas mbrojtjes, ka thënë se nuk e di arsyen se, pse nëna e saj ka bërë vetëvrasje.

“Sa i përket ngjarjes kritike, aktakuza pretendon se si provë e vetme në këtë rast, është ekspertiza e Zagrebit, se ka patur mbetje të barutit në dorën e të akuzuarit Hetemi, në këtë rast  asnjë provë tjetër gojore apo materiale nuk e ka mbështet akuzën ”, tha avokati Syla.

Sipas avokatit Syla, ky rast ka të bëjë me vetëvrasje, fakt ky i mbështetur nga ekspertiza e bërë në Shqipëri, përkatësisht nga eksperti Arben Lloshi, i cili në raportin e tij, ka thënë se rasti ka të bëjë me vetëvrasje.

Në fund, mbrojta e të akuzuarit Hetemi, avokatët Syla dhe Hasani, gjykatës i kanë propozuar që në bazë të nenit 364 par 3, gjykata të merr aktgjykim lirues.

I akuzuari Qamil Hetemi, në fjalën përfundimtare të tij, tha se e mbështet në tërësi fjalën përfundimtare të përgatitur nga mbrojtja e tij, avokatët Syla dhe Hasani.

Gjykatësi Skender Çoçaj, tha se shpallja e aktgjykimit për këtë rast, do të bëhet më 22 janar, prej orës 09:00.

Hetemi, akuzohet se në shtator 2011, pas mosmarrëveshjeve me gruan e tij, ka qëlluar të njëjtën me armë zjarri, nga afërsia, duke i shkaktuar vdekjen.

Ndryshe, në të kaluarën, tre herë ishte vendosur për këtë rast, dy herë nga Gjykata Themelore në Ferizaj, dhe një herë nga Gjykata Themelore e Prizrenit, por çdo herë deri më tani, rasti në fjalë ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Ky rast është gjykuar dy herë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku i akuzuari është dënuar me 14 vite burgim, por Gjykata e Apelit e ka prishur atë aktgjykim, derisa në anulimin e aktgjykimit të dytë, Apeli ka rekomanduar ndryshimin e trupit gjykues.

Në mungesë të trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Ferizaj, rasti është caktuar të zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prizren.

Gjykata Themelore në Prizren, në shkurt të vitit të kaluar, njëjtë si ajo në Ferizaj, ka gjetur fajtor të pandehurin, duke e dënuar me 14 vite burgim.

Mirëpo, Apeli ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me arsyetimin se përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, se ka kundërthënie në mes arsyetimit dhe shkresave të lëndës dhe nuk është vërtetuar plotësisht gjendja faktike.

Gjykata e Apelit, po ashtu ka gjetur se ka kundërthënie në mes ekspertëve sa i përket gjurmëve të barutit të gjetura në dorën e të pandehurit.

Në gjykimin e katërt, Gjykata Themelore në Prizren, sipas udhëzimeve të Apelit, ka bërë edhe një ekspertizë, të cilën e kanë përpiluar ekspertë nga Shqipëria, e cila ekspertizë po ashtu ka rezultuar se probabiliteti i vetëdëmtimit është mbi 50%.

Ndryshe, i akuzuari Qamil Hamiti, ka qenë në paraburgim që nga prilli i vitit 2012, deri në qershor të 2017.

Prokuroria Themelore e Ferizajit, në verën e vitit 2012, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Qamil Hetemi, për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa në seancën e shqyrtimit gjyqësor të 17 qershorit 2013, prokuroria kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket pikës 1. ashtu që Hetemin e akuzonte për veprën penale të vrasjes.

Asnjë koment

Comments are closed.