Gjatë një interviste në emisionin “Puls” të KTV-së, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka kishte kritikuar Prokurorinë Themelore të Prizrenit për mos-efikasitet.
Ai, gjatë intervistës së datës 24 qershor, tha se e ka çuar në prokurori çështjen e arkivit elektronik për të cilin Haskuka tha se i kushtoi 76 mijë euro komunës, por që ky arkiv nuk ekziston fare. Dhe, ndonëse e ka dërguar në Prokurori, ai tha se s’ka ndonjë përgjigje tash e një vit.
Për një rast tjetër, Haskuka ka thënë se janë dhënë 24 mijë euro për një aplikacion që nuk punon.
“‘Prizreni i mençur’ është kryer pa u nënshkruar nga komisioni për pranim teknik. Kur nuk nënshkruan ky komision, por e nënshkruan drejtori, atëherë është keqpërdorim detyre”, ka shtuar Haskuka.
Sipas Haskukës, Prokuroria ka thënë se s’ka prova të mjaftueshme edhe pse ekzistojnë nënshkrimet.
Haskuka ka thënë se ka paraqitur 60 raste për keqpërdorim në Prokurori, ndërsa, sipas tij, janë ngritur vetëm tri apo katër aktakuza, për çka ka thënë se s’është i kënaqur.
Por, Prokuroria Themelore në Prizren, po jep të dhëna tjera në raport me ato të kreu të Komunës, Mytaher Haskuka.
Në një reagim dërguar mediave, kjo prokurori thotë se pretendimet e Haskukës nuk qëndrojnë.
“Kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, është deklaruar publikisht edhe për punën e Prokurorisë Themelore në Prizren. Më konkretisht, ai në emision ka thënë se ka paraqitur rreth 60 kallëzime penale në Prokurori për çështje të keqpërdorimeve, e që gjithnjë sipas pretendimit të tij, Prokuroria ka ngritur vetëm 3-4 aktakuza. Gjithashtu, z. Haskuka ka përmendur me theks të veçantë se së fundmi kanë dorëzuar edhe tri kallëzime penale përkitazi me ‘Arkivën elektronike’, aplikacionin ‘Prizreni i mençur’ dhe ‘Ngrohjen Qendrore’ në Qendrën Rinore në Prizren. Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit, Prokuroria Themelore në Prizren ndjehet e obliguar të sqarojë opinionin se asnjë nga pretendimet e z.Haskuka nuk qëndrojnë”, ka thënë Prokuroria.
Më tej, në reagim thuhet se pasi kanë verifikuar në data-bazën e të dhënave të shkrimores së Prokurorisë, është vërtetuar se Komuna e Prizrenit nuk ka dorëzuar 60 kallëzime penale, sikundër pretendon Haskuka, por vetëm një njoftim për disa shkelje në lidhje me lejet e ndërtimit.
“Për të njëjtin njoftim, Prokuroria ka autorizuar menjëherë Policinë që të fillojë me mbledhjen dhe grumbullimin e të dhënave për rastin në fjalë”, thotë më tej Prokuroria.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prizren, për hir të informimit korrekt të opinionit, konfirmon se “asnjëri prej tri rasteve të përmendura nga z.Haskuka (‘Arkiva elektronike’, aplikacioni ‘Prizreni i mençur’ dhe ‘Ngrohja Qendrore’ në Qendrën Rinore), nuk është dorëzuar fare në Prokurori”.
“Në të njëjtën kohë, sqarojmë opinionin se Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuza për disa nga rastet më të mëdha, ku të akuzuar kanë qenë edhe drejtorët e Drejtorisë së Inspeksionit, për të cilat opinioni është njoftuar me kohë. Po ashtu, edhe rastet e tjera janë në fazën e hetimeve”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.