25-11-2024

Prokuroria nis hetimet ndaj kolegjit “UBT”, regjistroi 1236 studentë më shumë

Prokuroria Themelore në Prishtinë po e heton kolegjin privat “UBT” pas një Kallëzimi Penal që i ka bërë inspektorari i arsimit që funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, raporton portali “Front Online”.

Hetimet ndaj kolegjit “UBT” kanë nisur për shkak të tejkalimit të numrit të studentëve të regjistruar në vitin ekonomik 2018/2019, për të cilën parregullsi është raportuar në një hulumtim të botuar nga portali “Front Online” në shtator të vitit 2019.

Në hulumtimin e “Front Online” bëhej e ditur se UBT ka tejkaluar numrin e 1236 studentëve të regjistruar, me ç’rast këta të fundit do të hasin në vështirësi në vërtetimin e diplomës së tyre në Ministrinë e Arsimit.

Në një përgjigje me shkrim për “Front Online” nga Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmohet se po hetohet kolegji “UBT” për shkak të dyshimit të tejkalimit të studentëve të regjistruar.
“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë çështje, mund t’iu njoftojmë se Inspektorati i Arsimit ka ushtruar kallëzim penal ndaj kolegjit “UBT” në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për shkak të dyshimit të tejkalimit të studentëve të regjistruar në vitin akademik 2018/19.
Në këtë kolegj Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e informatave dhe provave në sqarimin e kësaj çështjeje. Aktualisht, rasti ndodhet në fazën e zhvillimit të procedurës hetimore”, kanë bërë të ditur nga Prokuroria.

Edmond Hajrizi, rektor i UBT-së

Për nisjen e hetimeve për shkak të tejkalimit aq të madh të numrit të studentëve të regjistruar, portali “Front Online” ka kontaktuar edhe rektorin e “UBT-së”, Edmond Hajrizi, i cili ka thënë se nuk janë të njoftuar për kallëzimin penal të ispektoratit të MASHT-it dhe nuk kanë ndonjë informatë për hetimet nga Prokuroria.
“Nuk kam informacion se po zhvillohen hetime ndaj kolegjit UBT. Ne deri më tani i kemi fituar të gjitha rastet që I kemi pasur, për këtë mund të vini dhe të informohen edhe në zyret tona, Kolegji UBT është i vetmi që i ka respektuar afatet kohore dhe se nuk është e vërtet që e kemi tejkaluar numrin e regjistrimit të studentëve”, ka thënë Hajrizi.
Portali poashtu ka dërguar email me disa pyetje në adresë të UBT-së për këtë çështje.
“Front Online” i ka dërguar pyetje edhe inspektoratit të arsimit të MASHT-it për këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur gjatë ditës së sotme.

 

Asnjë koment

Comments are closed.