24-11-2024

Prokuroria thotë se ka prova ndaj ish-kryetarit të Suharekës dhe të tjerëve, mbrojtja të kundërtën

Prokuroria Themelore në Prizren pretendon se ka prova të mjaftueshme me të cilat do vërtetohet se ish-kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj dhe dy të tjerët, kanë kryer veprat penale që lidhen me korrupsionin.

Një deklarim të tillë, e ka dhënë prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prizren ku palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse, si dhe është dëgjuar zyrtari i Drejtorisë për Financa në Komunën e Suharekës, Hasan Gashi.

Ish-kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, ish-drejtori i Arsimit në këtë komunë, Sherif Berisha, si dhe drejtori i shkollës “Bajram Curri”, Milazim Hajdari, akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Asllanaj akuzohet se sa ka qenë në pozitën e kryetarit të Suharekës, pa procedurë të tenderimit, ka nënshkruar marrëveshje të mirëkuptimit dhe bashkëfinancimit ndërmjet Komunës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren financiare, me ç’rast i shkakton dëm buxhetit të Kosovës në shumën totale prej 10.556.00 euro.

Në seancën e së mërkurës, prokurorja Gashi, ka thënë se Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka ngritur këtë aktakuzë, për shkak se të akuzuarit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe se sipas saj, akti akuzues është mbështetur në prova dhe dëshmi të mjaftueshme.

Prokurorja Gashi, në fjalën hyrëse tha se pas administrimit të provave do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen.

Kurse, tre të akuzuarit Sali Asllanaj, Sherif Berisha dhe Milazim Hajdari, edhe njëherë kanë mohuar akuzat me të cilat ngarkohen.

Kurse, mbrojtja e të akuzuarve në fjalë, avokatët Sehad Haliti, Brahim Sopa dhe Blerim Bajrami, kanë deklaruar se aktakuza nuk është e mbështetur në prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë.

Sipas tyre, gjatë procedurës gjyqësore do të vërtetohet pafajësia e klientëve të tyre.

Ndryshe, në këtë seancë ka dhënë dëshminë e tij, dëshmitari Hasan Gashi, i cili është zyrtar në Drejtorinë për Financa në Komunën e Suharekës.

Në pyetjen e prokurores Ervehe Gashi, se me çfarë procedura lidhen kontratat në mes të Komunës së Suharekës dhe operatorëve për çështje të sigurimit të shërbimeve në përgjithësi, dëshmitari Gashi, tha se një gjë e tillë bëhet nëpërmjet procedurës së tenderimit.

Më pas, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Gashi, se a ka pasur procedurë të tenderimit lidhur me kontratën në mes të OJQ “Kosova Hope” dhe Komunës së Suharekës, ai tha se nuk e din nëse ka pasur.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Sali Asllanaj, avokati Sehad Haliti, e ka pyetur dëshmitarin se më 1 shtator 2014, a është bërë transportimi i nxënësve dhe nga cila kompani kush është bërë, dëshmitari Gashi, është përgjigjur duke thënë se nga 1 shtatori deri më 25 shtator 2014, bartjen e nxënësve e ka bërë kompania “Saba Tours” nga Nishori.

“Më 25 shtator 2014, na ka ardhur njoftimi se OSHP – ja e ka prishur kontratën, më pas kësaj date kryetari Sali Asllanaj, na ka thirr në zyrë, drejtorin e Arsimit, mua dhe Avni Bytyqin dhe shefin e prokurimit. Mua më ka pyetur se a ka mjete për bartjen e nxënësve, unë jam deklaruar po, janë mjetet që janë dedikuar për transport për nxënës. Kjo ka qenë fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit. Zyrtari i prokurimit ka thënë se patjetër duhet të ritenderohet, atëherë kryetari ka lyp zgjidhje, duke thënë se nxënësat duhet të transportohen nuk mund të mbesin në rrugë. Aty kemi qenë prezent të gjithë edhe është dhënë ideja që nëpërmjet ndonjë shoqate apo OJQ-je si zgjidhje e përkohshme dhe tenderi veç është hapur për së dyti, dhe të gjithë kemi qenë aty dhe asnjëri nuk kemi thënë që nuk bënë, të gjithë së bashku kemi kërkuar zgjidhje që mos të mbesin fëmijët pa transport”, ka thënë dëshmitari Gashi.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Sherif Berisha, avokatit Brahim Sopa, lidhur me atë se a është në dijeni ai se përse është vonuar procedura e tenderimit, pasi që sipas avokatit, kryetari i komunës më 18 korrik 2014, ka kërkuar që të shpallet tenderi për transportin e nxënësve.

“Më 1 shtator 2014 kanë qenë tri lloto –tri pjesë, lloto 1 “Diti Soni”, lloto 2 “Meli” nga Mushtishti dhe lloto 3 “Saba Tours” nga Nishori. Tenderi ka qenë me kohë, fitues kanë qenë kompanitë e lartcekura si dhe më 1 shtator 2014 ka filluar bartja e nxënësve, mirëpo me 25 shtator na ka ardh vendimi për ritenderim të llotos – linjës së Nishorit”, deklaroi dëshmitari Gashi.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Milazim Hajdari, avokati Blerim Bajrami, e ka pyetur dëshmitarin se a ka njohuri ai lidhur me problemet për bartjen e nxënësve nga lagjja Breshanc në shkollë dhe anasjelltas, kurse dëshmitari tha se për këtë linjë ka pasur probleme.

“Po ka pasur problem, kompania “Shqiproni Tours”. Kam dëgjuar së është marr vesh me kompaninë “Saba Tours”, që nxënësit e lagjes Breshanc, nga është edhe firma “Shqiproni Tours”, t’i transporton kompania “Shqiproni Tours”, por si janë marr vesh nuk e di”, shtoi ai.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani, seancën e radhës e ka caktuar më 21 mars 2019 prej orës 13:15, në të cilën pritet të dëshmojë edhe dëshmitari i radhës për këtë çështje.

Në seancën fillestare të mbajtur më 19 nëntorit të vitit të kaluar, të akuzuarit Asllanaj, Berisha e Hajdari, ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën që u vihet në barrë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 22 tetor 2018, i pandehuri Sali Asllanaj dyshohet se prej 1 shtator 2014 deri më 27 nëntor 2014, në cilësi të personit zyrtar, kryetar i Komunës së Suharekës, se duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, Asllanaj, si kryetar i Komunës së Suharekës, pa procedurë të tenderimit, nënshkruan marrëveshjen për mirëkuptim dhe bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren financiare, me ç’rast i shkakton dëm buxhetit të Kosovës në shumën totale prej 10.556.00 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, Sherif Berisha, akuzohet se prej 16 shtator 2014 deri më 27 nëntor 2014, në cilësi të personit zyrtar-drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Suharekë, duke keqpërdorur detyrat e tij zyrtare, lejon që drejtori i shkollës fillore “Bajram Curri” në fshatin Nishor të Suharekës, Milazim Hajdari, të lëshojë raporte për bartjen e nxënësve në periudhën nga 16 shtator deri më 27 nëntor, operatorit ekonomik “Saba Tours”, gjoja se ky operator ka kryer shërbimin e transportit të nxënësve.

Në aktakuzë, thuhet se i njëjti në periudhën e njëjtë kohore, ka lëshuar edhe tri raporte operatorit “Shqiproni Tours”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën e 6572 euro, ngase kjo shumë i ishte paguar operatorit “Saba Group” për shërbimin që nuk e kishte kryer.

Po ashtu, sipas aktakuzës, Berisha, i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 4000 euro, ngase si përgjegjës për menaxhimin e projektit, nuk i kishte kërkuar mjetet të cilat nuk ishin shpenzuar nga pjesa e investimeve të përgjithshme marrëveshjen për mirëkuptim dhe bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope”.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, i akuzuari, Milazim Hajdari, në cilësi të drejtorit të shkollës fillore “Bajram Curri” në fshatin Nishor të Komunës së Suharekës, akuzohet se i tejkalon kompetencat e tija me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, si dhe duke përpiluar raporte për bartjen e nxënësve operatorëve të ndryshëm, me anë të së cilës shkel ligjin mbi detyrat e tij.

Sipas organit të akuzës, dëmin që ia shkakton buxhetit të Republikës së Kosovës, kap vlerën e 6572 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.