20-04-2024

PSD-ja ia dorëzon “dozën e parë të dorëheqjes” ministrit Vitia

Partia Socialdemokrate ka dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë një “dozë” të cilën e ka quajtur “doza e dorëheqjes” për ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kjo partia ia ka kërkuar dorëheqjen Vitisë duke i thënë se “puna e tij si ministër është e barabartë me zero në luftimin e pandemisë”.

“Sa vaksina i ka ble Qeveria e Kosovës? Numri është zero. Asnjë vaksinë s’e ka ble Qeveria Kurti dhe të gjitha këto që i kemi, të pakta, janë rezultat jo i punës së Qeverisë por i vullnetit të mirë të organizatave të ndryshme ndërkombëtare që na bien si ndihmë. Ne si aktivistë të PSD-së ia kemi sjellë ministrit Vitia dozën e parë të vaksinës së dorëheqjes e duhet ta marrë sa më parë dhe t’i presë efektet, në mënyrë që të reflektojë, që të japë dorëheqje sepse aktiviteti i tij dhe puna e tij në këtë ministri është e barabartë me zero në luftimin e pandemisë”, ka thënë Nol Nushi nga kjo parti. Sipas tij, zotimi i Qeverisë që të vaksinohet 60 për qind e qytetarëve deri në fund të vitit edhe “matematikisht është i paarritshëm”.

Ai ka akuzuar krerët e shtetit se të martën kanë shkelur ligjin duke shtruar iftar për udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovës. “11 persona në një tavolinë është shkelje”, ka thënë Nushi i cili ka paralajmëruar se PSD-ja do të nisë një peticion për të kërkuar ndryshimin e ligjit në mënyrë që të falen e të anulohen “dënimet e padrejta ndaj qytetarëve”.

Ai ka paralajmëruar “një dozë më të fortë” për ministrin Vitia nëse nuk bindet nga “doza e parë e dorëheqjes”.

“Në rast se nuk bindet të japë dorëheqje do të sigurohemi që vaksina tjetër të jetë edhe më e fortë në mënyrë që të reflektojë përfundimisht sepse mindilat e bukur në setër nuk mund ta shpëtojnë nga dorëheqja dhe përgjegjësia”, ka përfunduar ai.

Asnjë koment

Comments are closed.