Përfaqësues të opozitës, njëherësh mësimdhënës me një përvojë të gjatë në Prizren, kanë shfaqur dyshim rreth përgatitjes së nevojshme të komisionit intervistues, që po përzgjedh drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave sipas konkursit, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.
Fatmir Kastrati, anëtar i Kuvendit të Komunës (KK) nga radhët e AAK-së, ka kërkuar nga drejtori komunal i arsimit në Prizren, Skëndër Susuri, raport për rrjedhën e procesit intervistues të konkursit për drejtorë. “Nuk kam marrë përgjigje adekuate dhe vërtetë nuk e di se cila është përgatitja shkollore e komisionit”, tha ai.
Profesori Kastrati, që në mandatin e kaluar të KK-së, ka qenë edhe anëtar i komisionit për arsim në nivel të KK-së, tha se këtë çështje e ka ngritur edhe në një debat televiziv, që ka pasur me drejtorin e arsimit. “Drejtori Susuri, ka deklaruar se i gjithë paneli intervistues kanë master të përfunduar, por dyshoj se është krejt ashtu!”, ka thënë ai.
Mënyra e zgjedhjes së drejtorëve është përcaktuar në Udhëzimin Administrativ (UA) të MASHT nr.08/2014. Në nenin 4 jepen sqarime për Komisionin përzgjedhës, ndërsa në pikën 2.2 thuhet: Anëtarët e propozuar nga kryetari i komunës duhet të kenë së paku një kualifikim të barasvlershëm me kërkesat për kualifikim të kandidatëve për pozitë të drejtorit, si dhe të kenë së paku një përvojë prej 3 vitesh në sistemin arsimor.
Drejtori i DKA-së, Skënder Susuri ndërkaq ka premtuar se do të bëjë një raport konciz gjithëpërfshirës rreth konkursit për drejtorë, përfshirë intervistimin e kandidatëve, poentimin dhe se ai do t’i dorëzohet me shkrim KK-së, në fund të muajit qershor, kur edhe pritet të mbahet seanca e radhës.
Siç ka thënë, për shkak të transparencës Susuri ka kërkuar që në panel të jenë edhe dy përfaqësues nga Kuvendi Komunal.
Në anën tjetër, dy ditë më parë, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka deklaruar se procesi për intervistimet e kandidatëve për drejtor dhe zëvendësdrejtor të shkollave është duke shkuar në mënyrë transparente nën monitorimin e shoqërisë civile, këshillit të prindërve dhe të mediumeve.
Ai edhe një herë e ka vlerësuar procesin si jashtëzakonisht të rëndësishëm për rritjen e cilësisë dhe depolitizimin në arsim, duke thënë se “për këtë arsye me anë të transparencës radikale po synohet të përzgjedhen më të mirët për këto pozita”.
E derisa ai ka deklaruar kështu, nëpër shkolla disa konkurrentë që veten e quajnë si “të fortët e partisë” tashmë veç po promovohen si drejtor, ndërkohë që ende nuk ka përfunduar procesi i intervistimit./gazetaeprizrenit.net/