27-11-2020

Pse po dyshohet në komisionin përzgjedhës të drejtorëve në Prizren?

Përfaqësues të opozitës, njëherësh mësimdhënës me një përvojë të gjatë në Prizren, kanë shfaqur dyshim rreth përgatitjes së nevojshme të komisionit intervistues, që po përzgjedh drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave sipas konkursit, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.

Fatmir Kastrati, anëtar i Kuvendit të Komunës (KK) nga radhët e AAK-së, ka kërkuar nga drejtori komunal i arsimit në Prizren, Skëndër Susuri,  raport për rrjedhën e procesit intervistues të konkursit për drejtorë. “Nuk kam marrë përgjigje adekuate dhe vërtetë nuk e di se cila është përgatitja shkollore e komisionit”, tha ai.

Profesori Kastrati,  që në mandatin e kaluar të KK-së, ka qenë edhe anëtar i komisionit për arsim në nivel të KK-së, tha se këtë çështje e ka ngritur edhe në një debat televiziv, që ka pasur me drejtorin e arsimit. “Drejtori Susuri, ka deklaruar se i gjithë paneli intervistues kanë master të përfunduar, por dyshoj se është krejt ashtu!”, ka thënë ai.

Mënyra e zgjedhjes së drejtorëve është përcaktuar në Udhëzimin Administrativ (UA) të MASHT nr.08/2014.  Në nenin 4 jepen sqarime për Komisionin përzgjedhës, ndërsa në pikën 2.2 thuhet: Anëtarët e propozuar nga kryetari i komunës duhet të kenë së paku një kualifikim të barasvlershëm me kërkesat për kualifikim të kandidatëve për pozitë të drejtorit, si dhe të kenë së paku një përvojë prej 3 vitesh në sistemin arsimor.

Drejtori i DKA-së, Skënder Susuri ndërkaq ka premtuar se do të bëjë një raport konciz gjithëpërfshirës rreth konkursit për drejtorë,  përfshirë intervistimin e kandidatëve, poentimin dhe se ai do t’i dorëzohet me shkrim KK-së, në fund të muajit qershor, kur edhe pritet të mbahet seanca e radhës.

Siç ka thënë, për shkak të transparencës Susuri ka kërkuar që në panel të jenë edhe dy përfaqësues nga Kuvendi Komunal.

Në anën tjetër, dy ditë më parë, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka deklaruar se procesi për intervistimet e kandidatëve për drejtor dhe zëvendësdrejtor të shkollave është duke shkuar në mënyrë transparente nën monitorimin e shoqërisë civile, këshillit të prindërve dhe të mediumeve.

Ai edhe një herë e ka vlerësuar procesin si jashtëzakonisht të rëndësishëm për rritjen e cilësisë dhe depolitizimin në arsim, duke thënë se “për këtë arsye me anë të transparencës radikale po synohet të përzgjedhen më të mirët për këto pozita”.

E derisa ai ka deklaruar kështu, nëpër shkolla disa konkurrentë që veten e quajnë si “të fortët e partisë” tashmë veç po promovohen si drejtor, ndërkohë që ende nuk ka përfunduar procesi i intervistimit./gazetaeprizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.