Publikohen vendimet ku gjykatësi paraprak i lejonte ZPS-së paraqitjen e materialit mbështetës shtesë në rastin e Thaçit e të tjerëve
Në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, janë publikuar dy vendime të gjykatësit paraprak, Nicolas Guillou, me anë të së cilave, i kishte lejuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të paraqesë material mbështetës shtesë në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Më 2 qershor 2020, ZPS kishte kërkuar leje për të paraqitur material mbështetës shtesë të aktakuzës, i cili përfshinte deklarata të dy dëshmitarëve dhe nëntë dokumente tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.
ZPS kishte thënë se materiali shtesë mbështetës është i rëndësishëm për akuzat e aktakuzës.
Tutje, sipas ZPS-së disa nga materiali shtesë mbështetës së fundmi është lejuar të përdoret nga shtetet përkatëse dhe organizatat ndërkombëtare.
Sipas shkresës, ZPS ka treguar se disa nga materiali mbështetës shtesë do të zëvendësojnë dokumente tjera, të cilat do të hiqen përfundimisht nga paketa e materialit mbështetës.
Në vendimin e gjykatësit paraprak të datës 17 qershor, thuhet se kur vendoset që të lejohet paraqitja e materialit shtesë, gjykatësi i procedurës paraprake duhet të sigurohet që i gjithë procesi i rishikimit të akuzës të kompletohet brenda kornizës kohore të përcaktuar në rregullin 85 (5).
Tutje, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake konsideron, para së gjithash, se kërkesa është me kohë pasi është në një fazë të hershme të procedurës së rishikimit dhe për këtë arsye nuk do të rrezikojë afatin gjashtëmujor të përcaktuar në rregullin 85 (5) për marrjen e një vendimi për rishikimin e aktakuzës.
Sipas vendimit, gjykatësi i procedurës paraprak gjithashtu vëren se materiali provues shtesë është i rëndësishëm për akuzat e përfshira në aktakuzë dhe se ZPS vetëm kohën e fundit ka marrë leje për përdorim të disa dokumente që ka kërkuar t’i parashtrojë nga shtetet e caktuara dhe organizatat ndërkombëtare.
Edhe me 29 korrik 2020, ZPS kishte kërkuar leje për të parashtruar material mbështetës shtesë. Ky material thuhet se përfshin një deklaratë të një të dyshuarit të kryer mes 13 dhe 16 korrikut të vitit 2020 dhe dokumente tjera të përdorura gjatë intervistimit të dyshuarit të cilat nuk janë paraqitur ende.
ZPS kishte bërë të ditur se ky material mbështetës shtesë është vënë në dispozicion kohën e fundit dhe është i rëndësishëm për akuzat në aktakuzë.
Në vendimin e gjykatës të datës 30 korrik, thuhet se pavarësisht faktit që kërkesa është parashtruar më shumë se tre muaj pas aktakuzës, gjykatësi paraprak konsideron se në rrethanat aktuale, kërkesa është në kohë, duke konsideruar se intervista e të dyshuarit në fjalë është bërë para dy javësh.
Sipas gjykatësit, kërkesa nuk do të rrezikojë afatin gjashtëmujor të përcaktuar në rregullin 85 (5) të Rregullave për marrjen e një vendimi mbi rishikimin e aktakuzës së rishikuar.
Tutje, thuhet se gjykatësi paraprak vëren se materiali mbështetës shtesë i paraqitur përbëhet nga deklarata e të dyshuarit dhe dokumentet e diskutuara gjatë intervistës së tij, të cilat janë të rëndësishme për akuzat e ngritura në aktakuzën e rishikuar.
Andaj, gjykata kishte lejuar paraqitjen e këtij materiali.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’).
Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi