05-10-2024

Punëtorëve administrativë të gjykatave dhe prokurorive, një shtesë prej 50 euro

Punëtorët e administratës së sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës më 4 korrik të këtij viti kishin hyrë në grevë të përgjithshme.

Punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive në vend kërkonin realizimin e tri kërkesave, dhe atë rritjen e pagave për 100%, rregullimin e statusit së këtyre punëtorëve, si dhe që me Ligjin për Pagat të ketë vlerësime reale dhe të dinjitetshme për punëtorët e gjykatave dhe prokurorive.

Më vonë, ishte shtuar edhe kërkesa e katërt, e që ishte pagesa e përvojës së punës.

Mirëpo këtë grevë, punëtorët administrativë të gjykatave dhe prokurorive në nivel të vendit, e kishin pezulluar pas gjashtë ditëve.

Ky veprim kishte ardhur pas një takimi që përfaqësuesit e Këshillit Grevist kanë pasur me përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), kryetarët e Gjykatave Themelore si dhe kryeprokurorët e Prokurorive Themelore.

Për takimin e mbajtur më 11 korrik, e ku ka marr pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kishte njoftuar kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Judikaturës, Asllan Rusinovci.

Rusinovci ka bërë të ditur se gjatë takimit të lartpërmendur ishte arritur marrëveshja që greva të pezullohet derisa kërkesat e tyre të realizoheshin plotësisht.

Por, nga kërkesa për rritje pagash prej 100%, punëtorët e administratës së sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor janë mjaftuar me një shtesë prej 50 euro.

Lajmin e ka konfirmuar, për “Betimi për Drejtësi”, kryetari i Sindikatës së Judikaturës, Asllan Rusinovci.

Ai ka deklaruar se kjo shtesë ka ardhur si rezultat i disa takimeve që kanë pasur me përfaqësues të KGJK-së, KPK-së dhe ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Ne kemi pasur disa takime me përfaqësues të KGJK-së, KPK-së dhe me vetë ministrin e Drejtësisë. Ne jemi marrë vesh që pagat tona të kenë një shtesë prej 50 eurove. Ata na kanë thënë se shumë shpejt do të hyjë në fuqi Ligji për Pagat”, ka thënë Rusinovci për “Betimi për Drejtësi”.

 

Asnjë koment

Comments are closed.