25-04-2024

Qentë endacak “pushtojnë” Urën e Gurit në Prizren (foto)

Përpos disa pjesëve të tjera, edhe qendra e Prizrenit, duket se është shndërruar në vatër të qenve endacak, të cilët thuajse janë bërë pjesë e pandashme e saj, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Tashmë, disa herë kemi raportuar se në Prizren, numri  qenve të tillë është shtuar, dhe përkundër paralajmërimit nga zyrtarët për fillimin e trajtimit të tyre nga kompani përkatëse, ata janë prezentë nëpër rrugë e lagje dhe ndonjëherë edhe reagojnë dhe bëhen të rrezikshëm.

Prania e tyre, në numër bukur të madh  në qendër,  pos rrezikut, krijon edhe një imazh të keq për qytetin, sidomos tashmë kur numri  i vizitorëve të huaj është më i madh.

Për të shmangur këto imazhe duhet veprim konkret nga autoritetet, aq më tepër kur jemi në prag të fillimit të festivalit ndërkombëtar “Dokufest”,  që nis në fillim të gushtit, e kur në Prizren pritet të vijnë më shumë se 200 njerëz të artit nga rreth 70 vende të huaja.

 

Në qendër e në njërin nga monumentet simbol të qytetit, në Urën e Gurit shpesh, të bie të shohësh njerëz që fotografojnë edhe qentë endacak, që lëvizin në këtë pjesë.

Qentë shpesh qëndrojnë të shtrirë në gurët e urës, duke penguar kalimtarët.

Nga gjendja e krijuar qytetarët po publikojnë nëpër rrjetet sociale foto të qenve endacakë, derisa po krijojnë edhe lloj-lloj batutash tallëse.

Njëri nga ta, bashkë me postimin e një fotoje, ku shihen qenë të shtrirë në “shadervan” ka propozuar që në Prizren të organizohet “Nata e qenve te lumtur”. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.