06-05-2024

Rahovec: Dënim me kusht për dëmtimin e një veture dhe sulm ndaj policit

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim unik me pesë muaj burgim me kusht ndaj të akuzuarit për veprat penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe për sulm ndaj personit zyrtar, Nijazi Abazibra.

Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari Abazibra nuk kryen vepër tjetër penale.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Shabani, ka shqiptuar tre muaj burg me kusht për veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë” si dhe tre muaj burgim me kusht për sulm ndaj personit zyrtar.

Ku më pas, ndaj të akuzuarit për të dy veprat penale është shqiptuar dënim unik me pesë muaj burgim me kusht.

I akuzuari Abazibra, paraprakisht ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Bajram Kryeziu.

Gjyqtari Shabani, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 24 tetor 2017, ndaj Nijazi Abazibra, duke e akuzuar se më 14 janar 2017, në Rahovec, pasi që e vëren të parkuar veturën e tipit “WV Golf”, përpara dyerve të tij,  i revoltuar me këtë e pasi që ishte nën ndikim të alkoolit e godet me grusht xhamin e pasmë të automjetit, pronë e të dëmtuarit Hajar Sahiti.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me datën kohën dhe vendin e njëjtë, derisa i dëmtuari Avni Paçarizi, zyrtar policor në Rahovec, pas dëmtimit të automjetit nga i akuzuari, ndërhynë për ta vënë situatën nën kontroll, ndërsa i akuzuari në gjendje të dehur fillimisht shanë e ofendon e më pas e kap për fyti dhe rroba, i cili më pas arrestohet nga zyrtarët policorë. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.