27-07-2024

Rahovec: Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi fajësinë për vjedhje të rrymës

Tre muaj burgim dhe 200 euro gjobë me kusht, ka shqiptuar Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Shyqeri Hoti.

Por, ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Hoti, ka thënë se ndjehet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh gjendjen e dobët ekonomike dhe se është mbajtës i familjes pesë antarëshe, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar as prokurorja e shtetit, Ismet Tofaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 24 prill 2016, ndaj Shyqeri Hoti, duke e ngarkuar atë me veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri nga data e pavërtetuar e deri më 25 maj 2017, në lokalin e tij në fshatin Ratkoc të Rahovecit, në mënyrë të kundërligjshme ka shfrytëzuar energjinë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti përmes kabllos 5×2.5 është lidhur direkt në rrjetin elektrik, e me këtë veprim energjia e shpenzuar nuk është regjistruar, gjendej kjo e konstatuar nga punëtorët e autorizuar të KEDS-it, e me këtë rast të dëmtuarës KEDS i ka shkaktuar dëm material në vlere prej 2.424.19 euro.

Asnjë koment

Comments are closed.