Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim me tre muaj burgim me kusht për të akuzuarën për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, Genta Koleci.
Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, e akuzuara Koleci nuk kryen vepër tjetër penale.
Aktgjykimi ndaj saj është shpallur nga gjykatësi, Ilir Rashkaj, pasi që e akuzuara paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Para shpalljes së aktgjykimit, prokurori Enis Gashi, ka bërë rikualifikimin e veprës penale.
“Duke marrë parasysh se përshkrimi i gjendjes faktike nga ana e prokurorit të çështjes ndër të tjera është cekur se e pandehura ka mundur të ketë ditur se telefoni ishte siguruar me kryerjen e veprës penale, andaj në bazë të kësaj në vend të nenit 345 të KPRK-së duhet të jetë neni 345 paragrafi 2 të KPRK-së, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës sipas tij mbetet e pa ndryshuar”, ka thënë prokurori.
Pas kësaj, e akuzuara Koleci, ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.
Ajo ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është e gjendjes së dobët ekonomike, mbajtëse e familjes gjashtë anëtarësh, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës nuk e ka kundërshtuar prokurori Enis Gashi.
Gjykatësi Rashkaj, të akuzuarën e ka obliguar t’i paguaj shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 12 janar 2016, ndaj Genta Koleci, duke e ngarkuar atë me veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Sipas aktakuzës, e pandehura më 28 shtator 2015, në fshatin Xërxë të Rahovecit saktësisht në lokalin “Rinia” nga një person i panjohur kishte blerë një telefon të markës “Samsung Galaxy S5 Duos” në shumë prej 220 euro.
Në aktakuzë thuhet se e pandehura ka mundur të ketë ditur se telefoni ishte siguruar me kryerjen e veprës penale, pasi që kundërvlera e telefonit të blerë është dukshëm më e ulët se sa vlera e tij në çmimin e tregut.
Në aktakuzë thuhet se telefoni i njëjtë ishte konfiskuar nga ana e policisë dhe ai i është kthyer të dëmtuarit Shkumbim Kastrati.