27-04-2024

Rahovec: Mungesa e të akuzuarit shtyn gjykimin për vjedhje të arit në shtëpinë e mërgimtarit

Mungesa e të akuzuarit për vjedhje të rëndë, Besim Dina, ka bërë që të dështojë seanca ndaj tij, e paraparë për të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec.

Gjykatësi Ilir Rashkaj tha se për kundër ftesës së rregullt dhe pranimit të saj, i akuzuari nuk ka prezantuar në seancë dhe mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të tij, gjykatësi Rashkaj, për të siguruar praninë e palës për seancën e radhës tha se do të lëshojë urdhëresë ndaj tij.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i akuzuari Besim Dina, gjatë muajit shtator të vitit 2010 në fshatin Celinë, Komuna e Rahovecit në bashkëveprim me të miturin V.J, kanë kryer veprën penale të vjedhjes së rendë.

Në aktakuzë thuhet se vjedhja është kryer në atë mënyrë që të akuzuarit duke shfrytëzuar mungesën e të dëmtuarit, i cili gjendet në Zvicër, kanë thyer derën e dhomës së fjetjes prej ku kishin marr një sasi të arit në vlerë prej 8000-9000 euro dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Me çka, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e rendë”, nga neni 253, par.1 lidhur me nenin 23 të KPK-së.

Asnjë koment

Comments are closed.