Reagimi i naftëtarëve rreth çmimit të derivate

Kryetari i Shoqatë së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i është përgjigjur ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se nuk do të ketë heqje të akcizës sa i përket derivateve të naftës.

Berjani për portalin rtv21.tv ka thënë se qëndrimi i Muratit do të dëmtojë shumë kompani që merren me këtë produkt.

Berjani ka thënë se asnjëherë nuk kanë kërkuar heqjen e akcizës për derivatet e naftës.

“Sa i përket akcizës, unë si kryetar i shoqatës asnjëherë nuk kam kërkuar heqjen e akcizës qysh prej se kanë qenë qeveri të ndryshme dhe tash që është Albin Kurti. Kjo Qeveri është duke u përballur një kohë të gjatë me rritje ekstreme të derivateve në berzë. Ketë situatë janë duke e shfrytëzuar edhe partitë politike për poena politik. Ne s`mund të garojmë me shtetet evropiane dhe dihet se Kosova ka një buxhet 2.7 miliardë”, ka thënë ai.

Berjani tutje ka shtuar se si shoqata kanë kërkuar që tregu të jetë i hapur.

“Sepse vendimi i kaluar ka qenë i dëmshëm për shumë pika karburanti dhe nuk ka mujt ai vendim me ulë çmimin e derivateve, sepse çmimin e dikton bërza marzha e fitimit e kanë kërkuar në Kuvendin e shoqatës të jetë 12% me pakicë dhe importi 3%. Këto janë kërkuar në takimin e fundit. Vendimi i prezantuar nga MTI-ja në atë formë është i dëmshëm dhe do të falimenton shumë pika karburanti”, ka thënë Berjani.

Çmimet e karburanteve sot kanë shënuar rekord, një litër naftë dhe benzinë ka arritur mbi 1.90 euro. Një litër naftë është duke u shitur nga 1.87-1.91 euro në tregun e Kosovës. Ndërsa, një litër benzinë nga 1.89-1.93 euro.