Reagon LDK: Arsimi në Prizren është duke përjetuar degradimin më të madh nga paslufta
Dega e LDK-së në Prizren ka reaguar duke hedhur kritika, siç thuhet ndaj gjendjes së rëndë në arsimin e kësaj komune, i cili po karakterizohet me skandale të vazhdueshme. Kjo parti fajëson për dështim qeverisjen e Shaqir Totajt, edhe në njërin nga sektorët më të ndjeshëm, atë të arsimit, që është duke përjetuar degradimin më të madh, që nga paslufta, raporton Gazeta e Prizrenit.
Reagimi i plotë:
Dega e LDK-së në Prizren, shpreh shqetësim rreth gjendjes së rëndë në arsimin e kësaj komune, i cili po karakterizohet me skandale të vazhdueshme. Publikimi i skandalit në shkollën e Lubizhdës së Prizrenit, dhe të ngjashme që përfliten nëpër institucione arsimore, janë tregues për dështimin e qeverisjes së Shaqir Totajt, edhe në njërin nga sektorët më të ndjeshëm, atë të arsimit, që është duke përjetuar degradimin më të madh, që nga paslufta.
Rastet e tilla, pastaj punësimi i nuses së djalit të kryetarit, Shaqir Totaj, mungesa e mësimdhënësve në shkolla, honoraret e shumta, si dhe mbajtja e mësimit me nga 30 minuta, shkaku i investimeve gjatë procesit mësimor në objektet shkollore, janë vetëm disa nga dështimet e shumta të këtij pushteti abuzues.
Kjo situatë padyshim se është reflektim i procesit të komprometuar të përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave, duke vënë në udhëheqje, njerëz jo kompetentë, me mungesë integriteti, të dënuar për shkelje, si dhe anëtarë e militantë partiak, sikur është rasti i përzgjedhjes për drejtoreshë, të kryetares së Forumit të Gruas dhe zëdhënëses së degës së PDK-së.
Një paradoks tjetër, është fakti se, derisa ka shumë të rinjë duke pritur punë, e sidomos femra të kualifikuara, nëpër shkollat e Komunës, sidomos në rajonin e Hasit, me muaj të tërë ka mungesë të mësimdhënësve. Kjo po ndodh për shkak të konkurseve të kundërligjshme ose mos shpalljes me kohë të tyre. Zëvendësimet dosido që po bëhen përmes honorarëve të shumta, madje deri në gjysmë norme, ua pamundësojnë mësimdhënësve të rinj kyçjen në proces, duke i detyruar të mendojnë për rrugën e migrimit.
Gjendja e rënduar në arsim vjen pasi periudhën dyvjeçare të qeverisjes së Totajt e ka karakterizuar një përzgjedhje jomeritore, klanore e partiake e mësimdhënësve, pastaj konkurse të kurdisura dhe investime sipas preferencave shoqërore. Përkundër premtimeve, jo që nuk u ndërmor asgjë për depolitizimin e arsimit, por shkaku i parregullsive të shumta, tashmë po vërehet një demotivim tek mësimdhënësit.
LDK ia kujton kryetarit Totaj premtimin e tij për moslejimin e mësimdhënësve të sillen nëpër gjykata, në realizimin e të drejtave të tyre për shujtat dhe pagat jubilare. Derisa punëtorët e arsimit po “sorollaten” nëpër gjykata, Komunës së Prizrenit, brenda dy vitesh i kanë tepruar hiq më pak se 15 milion euro.
Ndaj parregullsive të shfaqura, e sidomos mënyrës së punësimeve dhe nepotizmit në arsim, LDK ka reaguar me kohë, duke ndërmarrë veprime konkrete para selisë së Kuvendit Komunal, ku ndodhet edhe zyra e Kryetarit, siç janë aksionet me moton “Shaqa Farm” dhe ky i fundit “Shtëpia e punësimeve – Totaj Family”.
Një format i tillë i menaxhimit, çfarë ka treguar drejtoresha komunale e Arsimit, është tejet i dobët dhe degradues, andaj kërkojmë përgjegjësi morale dhe institucionale! Veprimet abuzuese të pushtetit lokal, Lidhja Demokratike e Kosovës në Prizren, i konsideron jo vetëm të papranueshme, por duhet të jenë edhe të dënueshme nga instancat e drejtësisë!
Prizreni meriton arsim cilësor dhe qeverisje që i shërben qytetarëve e jo klaneve përfituese dhe dashakeqe!
LDK – PRIZREN ZYRA PËR INFORMIM
Lexo edhe: