Rektorët e Kosovës dhe Shqipërisë do t’i diskutojnë në Prizren, programet që rrezikojnë shuarjen

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka zhvilluar një takim me homologen e tij në Tiranë, Lindita Nikolla,  ku paraqiti disa pika të rëndësishme bashkëpunimi me interes për të dyja vendet, për të cilat edhe u dakorduan gjatë këtij takimi.

Në njoftimin e MASHT-it, thuhet se Bytyqi dhe Nikolla u dakorduan për krijimin e një trupe të përbashkët për njohjen e profesioneve të rregulluara mes dy vendeve, si dhe janë dakorduar edhe për një bashkëpunim më të ngushtë mes instituteve të historisë.

“Lidhur me këtë u planifikua që të organizohet një tryezë e përbashkët me 10 qershor në Prizren, në mënyrë që ky bashkëpunim të fillojë sa më shpejtë dhe me qëllim të harmonizimit dhe funksionalizimit të të dy instituteve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu  ministri Bytyqi dhe ministrja Nikolla, u dakorduan parimisht që në këtë datë në Prizren të organizohet një tryezë  e përbashkët mes rektorëve të universiteteve publike, ku do të diskutohet për programe të rëndësishme, por që janë në rrezik mbylljeje në mungesë kuadrosh adekuate. Në takim u diskutua edhe për mundësinë e rritjes së kuotave për studentët kosovarë dhe anasjelltas për pranim në programet e avancuara  në vendet përkatëse.

Temë tjetër e rëndësishme dhe si risi në mes dy ministrive u shtrua organizimi i një kampusi veror tradicional për studentët shqiptarë për çka edhe u dakorduan të parët e arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Gjatë këtij takimi gjithashtu u diskutua edhe për shkëmbim të profesorëve në profile të rëndësishme që kanë mungesë të dyja vendet.