02-12-2024

Revista Amerikane: Bunkerët e Shqipërisë dëshmi e triumfit mbi nënshtrimin!

Bunkerizimi i Shqipërisë ishte një sipërmarrje 2,2 miliardë dollarëshe e nxitur nga izolimi ekstrem i vendit.

Hoxha, vartësit e të cilit e quanin “forca e vetme”, mori kontrollin e vendit në vitin 1944, duke ndërtuar një formë fanatike të komunizmit, që nuk krahasohej me asnjë aleat tjetër.

Në vitin 1968, ai doli nga Traktati i Varshavës, që ishte një kundërpërgjigje e Moskës ndaj NATO-s, ndërsa ftohu dhe tendosi marrëdhëniet me ish-Bashkimin Sovjetik, ish-Jugosllavinë dhe Kinën. Pa asnjë vend aleat, ai u mbyll në bunkerë.

Gjatë gjithë periudhës mes viteve 1970-’80-të, fabrikat prodhuan blloqe dhe kupola betoni të përforcuara me çelik për vendstrehime, madhësia e të cilëve varionte nga një vendrojë për një ushtarë të vetëm në fortesa nëntokësore pesëkatëshe.

Punëtorët përdorën traktorë dhe vinça për t’i ndërtuar bunkerët në plazhe, fusha dhe rrugë qytetesh anekënd vendit dhe qindra prej tyre humbën jetën në punë.

Më shumë se 750 mijë bunkerë ushtarakë mbinin dikur anembanë Shqipërisë, një vend i vogël ballkanik i Europës Juglindore me sipërfaqe prej vetëm 28 748 kilometrash katrore, shkruan Laura Mallonee, e revistës së njohur amerikane ”Wired”, e përmuajshme që fokusohet në faktin se si teknologjia ndikon në kulturë, ekonomi dhe politikë.

”Bunkerët u ndërtuan nga diktatori komunist Enver Hoxha, i cili sundoi për 40 vjet pas Luftës II Botërore duke besuar se armiqtë mund ta sulmonin nga çasti në çast. Kjo në fakt nuk ndodhi kurrë. Më vonë, krejt pa zhurmë, qytetarët i përdorën vendstrehimet e luftës për të tjera qëllime si për të strehuar bagëtitë, akomoduar turistët ekskursionistë apo për të shitur ushqime të shijshme.

Fotografi britanik Robert Hackman ka fiksuar imazhe të 250 prej tyre gjatë udhëtimeve të tij anembanë Shqipërisë në dekadën e fundit. Ato shfaqen në librin e titulluar “Metamorfoza: Ripërdorimi i Bunkerëve Shqiptarë të Epokës Komuniste”, një botim për të cilin ai shprehet se është “një dëshmi e triumfit popullor mbi shtypjen dhe nënshtrimin”.

Rezultate imazhesh për bunkeret ne shqiperi

“Dëshira ishte që ta regjistroja këtë kapitull kalimtar të historisë shqiptare”, shprehet ai, “dhe për të bërë të njohur jo vetëm bunkerët, por edhe popullin shqiptar dhe vendin e tyre në sytë e një audience më të gjerë”.

Pas rënies së komunizmit në vitin 1990, tokat ku ishin ngritur bunkerët iu rikthyen pronarëve të tyre të dikurshëm, të cilët u përpoqën t’i shfrytëzonin sa më mirë. Ata i shndërruan në gjithçka, nga qebaptore në salla bilardosh, siç ishte rasti i bunkerit që Hackmani pa në vitin 2001, ndërsa shërbente në Shqipëri si përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.

Enver Hoxha vërtet nuk jeton më, por duket se së paku disa prej bunkerëve të tij do të jenë aty përgjithmonë”, përfundon Mallonee për revistën amerikane ”Wired”, një reportazh kushtuar bunkerëve./a.m/noa.al/

Asnjë koment

Comments are closed.