26-04-2024

Rinia jonë vizionare apo ëndrrimtare!?

Shkruan: Batjar HALILI (psikolog)

Dy muaj para mbarimit të vitit shkollor po bisedoja me gjimnazistët në lidhje me studimet dhe me jetën e tyre, duke i pyetur se çfarë do të bënin pas mbarimit të gjimnazit. Shumë nga ata, mos të them në masën  90% nuk e kishin idenë se cila ishte dega e tyre e preferuar dhe cili do të ishte profesioni i tyre i ardhshëm. Pelqyshmëri dhe ëndrra për jetën kishin shumë, por forma dhe mjete në dispozicion për t’i shndërruar këto ëndrra në vizion nuk kishin. Përgjigjigja e tyre e vetme ishte: “…s’e di, të shohim…” Këtu më lindi ideja që të bëja një shkrim për mungesën e vizionit te të rinjtë dhe fantazitë e tyre që u ngelin brenda kokës, pa arritur që të zbatohen për t’u bërë realitet sepse u mungojnë mjetet e konkretizimit të këtyre ëndrrave për t’i shndërruar në vizone.

Dallimi në mes të një vizioni dhe një ëndrre, është se vizioni është caku i dëshiruar që duhet të arrihet në të ardhmen brenda vlerave të bazuara në kompetencat themelore që zotron një i ri,  kurse ëndrra është një imazh për të ardhmen, pa një lidhje me situatën aktuale (konkrete).Ne përdorim vazhdimisht vizionin në një kuptim pozitiv, duke vendosur shumë mbiemra pas tij.

Pra, çfarë është vizioni? Ka shumë përkufizime të vizionit, por ne thjesht e përcaktojmë atë si “Imazhi i së Ardhmes”.  Ne e përdorim vizionin për të pasur një pasqyrë të qartë për të ardhmen. Vizioni është ai ku ne e shohim veten në të ardhmen, kurse ëndrra është ajo ku duam të jemi. Nëse ne nuk e shohim veten atje ku planifikojmë në të ardhmen, edhe nëse nuk kemi mundësi të jemi atje, do të thotë që kemi mungesë sigurie personale dhe kjo na bën që jemi njeri me dyshime e pa vizion të qartë.

Pra, shumë të rinj nuk e sqarojnë vetveten nëse mendimet e tyre për të ardhmen, janë një ëndërr apo shprehje e një vizioni?

A ka të rinj që pyesin veten e tyre sot si në pyetjet që vijonë?

A do të jem i lumtur pesë vjet më vonë? 

Kur do të fillojë një mëngjes pranvere i mbarë për mua që unë të jem i plotësuar në shumë dimensione?

Në cilën shtëpi do të zgjohem?

Deri kur të kem arritur frutet e punës sime?

A duhet të kem një partner për sa kohë nuk kam ende pavarësi ekonomike?

Çfarë lloj pune duhet të bëj dhe a është puna e duhur për mua?

A do të ndihem i lumtur dhe i suksesshëm? 

Si kalon dita ime në shtëpinë time, me familjen, punën dhe të gjitha detajet e tjera?

Sa më specifikisht t’i përgjigjen të rinjtë këtyre pyetjeve, aq më shumë ka gjasa që t’i përjetojnë ato. Sa më e madhe të jetë pasiguria në tryezën e tyre të pyetjeve që ia bëjnë vetes, aq më shumë do të kuptohet se ky qëndrim nuk është një vizion, por një ëndërr.

Ndonjëherë çfarë doni që të ndodhë pas pesë apo dhjetë vjetësh nuk do të varet nga ju. Meqenëse e ardhmja juaj do të varet nga variabla të ndryshëm jashtë jush, do të keni më shumë gjasa të jetoni një jetë të tërhequr nga të tjerët në klasën e viktimave të besimit.

Pyetjet e para me të cilat ballafaqohem në shumë nga diskutimet e mia me nxënësit dhe të rinjtë, në punën time të përditshme, kur flas për vizionin janë si vijojnë:

Si mund ta përcaktoj të ardhmen time në një vend me një pasiguri të tillë siç është Kosova?

A ia vlen që të studiosh dhe të sakrifikosh kur e di shumë mirë që punë nuk do të gjesh dot?

A do të më pengojnë krizat dhe kushtet ekonomike që të shkoj aty ku unë dua të jem në të ardhmen?

Këto pyetje janë në të vërtetë reflektimi i qasjes fatale (pesimiste), “në kuptimin që e ardhmja ime varet nga gjëra të tjera e jo nga unë.”

Të kesh një vizion do të thotë të kesh një pasqyrë të qartë për të ardhmen. Nga momenti që mendojmë për atë lloj të ardhmeje që duam, selektiviteti fillon me perceptimin. Burimet e nevojshme për të arritur të ardhmen që ne dëshirojmë,  janë veprime të bëra me selektivitet që ne ndërmarrim me anë të perceptimit dhe që na udhëheqin drejt së ardhmes që duam dhe mendojmë.

Selektiviteti në perceptim,  do të thotë  që të pasurit e objektivave të qarta për të ardhmen, do të na japë mundësi për ta arritur atë të ardhme që duam. Nëse nuk kemi një vizion, mundësitë dhe burimet do të na kalojnë  para syve, por ne nuk do t’i vërejmë ato.

(Autori është profesor në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren).

Asnjë koment

Comments are closed.