24-11-2024

Riza Smaka: Presidenti s’mund të japë dorëheqje, Osmani s’ka legalitet për ta ushtruar funksionin

Riza Smaka, profesor i të drejtës kushtetuese, ka sqaruar situatën për pozitën e presidentit pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.

Ai thotë se me Kushtetutë presidenti nuk mund të japë dorëheqje, derisa ka theksuar se Vjosa Osmani nuk ka legalitet për ta ushtruar funksionin e presidentit.

Smaka e ka konsideruar goditje të rëndë për shtetin e Kosovës aktakuzat nga Gjykata Speciale, e cila sipas tij, do t’iu shërbejë fort mirë armiqve të shtetit tonë, e mjerisht nuk kemi pak.

“Kushtetuta e Kosovës nuk e njeh dorëheqjen. Shembull ajo e SHBA-së e ka. Kushtetuta jonë i ka katër baza të tjera ama nuk e ka dorëheqjen prandaj nuk ekziston dorëheqja dhe nëse është shprehur ish-presidenti, natyrisht nga momenti e afeksioni por gabimisht është shprehur”, ka thënë Smaka.

Ai tutje ka sqaruar se rasti konkret i referohet nenit të 90-të të Kushtetutës.

“Ndërsa të tjerët që thirren në të gabojnë rëndë sepse nuk ka dorëheqje, presidenti nuk mund të japë dorëheqje në shtetin tonë sipas Kushtetutës. Rasti konkret mund t’i referohet vetëm nenit 90 paragrafit të parë të Kushtetutës – president në mungesë. Në këtë rast presidenti vullnetarisht, këtë e nënvizoj, vullnetarisht do t’ia adresonte urdhëresën shkrimore kryetares së Kuvendit me shkaqet pse do të jetë në mungesë për një kohë të caktuar”, ka thënë ai.

Kurse Osmani sipas tij do të ishte në ushtrim të funksionit më së shumti gjashtë muaj.

Ai ka shtuar se Thaçi nuk e ka lëshuar urdhëresën shkrimore me shkaqet, jo me arsyet, e mungesës së tij të përkohshme.

“Atëherë apriori i mungon legaliteti zonjës Osmani për ta ushtruar funksionin e presidentit. Ajo nuk është dashur të nxitonte sepse fundi i fundit është juriste, kjo është çështje elementare. Kjo bazë juridike ishte dashur paraprakisht të sigurohej”, ka thënë Smakaj. “Në Kushtetutë është në mënyrë shprehimore e thënë, jo interpretime”.

Asnjë koment

Comments are closed.