24-04-2024

Rrafshi i Hasit në ujë, Drini vërshon fushat (Video)

Të reshurat e shumta të shiut kanë ngritur dukshëm nivelin e Drinit të Bardhë si dhe kanë bllokuar kanalizimet, gjë që ka ndikuar që shumë objekte banimi në Krajk, Bregdri dhe Romajë të Hasit të rrezikohen nga përmbytjet.

Hivzi Samahodaj nga Krajku, thotë se nga mbrëmë, familja e tij është detyruar të strehohet në një objekt tjetër banimi nga rreziku i vërshimeve. Fqinji i tij, Valmir Samahodaj, thotë se uji ka depërtuar në bodrumin e shtëpisë së tij, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në amvisëri dhe pajisje elektroshtëpiake.

Gjendje rënduar paraqitet edhe fshatin Romajë, thotë Myrteza Ferataj, banor i këtij lokaliteti. Në vendngjarje prej se vërshimet po rrezikojnë jetën dhe pronën e banorëve, janë vënë me aq kapacitete sa kanë zjarrëfikësit prizrenas.

Ndërkaq, drejtori për Emergjenca dhe Siguri në Prizren, Faruk Dakaj, thotë se organet kompetente janë duke u angazhuar maksimalisht në shumë fshatra e lagje të Prizrenit për sanimin e gjendjes së krijuar nga vërshimet. Situata aktualisht paraqitet e rëndë në shumë lokalitete të Prizrenit, ndërkaq të reshurat e reja mund të shkaktojnë telashe edhe më të theksuara./ prizreni tv

Asnjë koment

Comments are closed.