Rrëfime kontraste të shqiptarëve në dy filma të huaj
Kategoria kombëtare në “DokuFest” ka sjellë edhe dy filma të tjerë dokumentarë me temë shqiptare, por të realizuar nga regjisorë të huaj. Jashtë garës janë shfaqur “Bashkimi United” i regjisorit zviceran Lasse Linder dhe “Toni dhe Bleri” i regjisores holandeze Katja Verheul, shkruan sot Koha Ditore.
Regjisori Linder vitin e kaluar posa ishte zhvendosur në lagjen ku gjendet edhe salloni i berberit shqiptar, Bashkimit. Banesa e regjisorit ishte 50 metra larg sallonit. Në një ditë me shi e të ftohtë dimri, Linder ishte në kërkim të një vendi për të prerë flokët. Rastësisht ai hyri në sallonin e shqiptarit, ku edhe i ka lindur ideja për të realizuar një dokumentar për Bashkimin, pas bisedës që kishte pasur me të. Bashkimi është një berber, i cili ka dëshirë të krijojë filma, ka punuar si sigurim, punë të cilën e krahason me një agjent të CIA-s, ka dëshirë t’u ndihmojë njerëzve në aspektin psikologjik e po ashtu është këngëtar, valltar e sportist i mirë. Një njeri multidimensional, i gatshëm për çdo punë e profesionist i shumë fushave.
“Bashkimi ka dy ekrane, të cilat i vendos në rrugë dhe, sipas tij, ai është i pari që ka bërë një fotografi që sot njihet si para dhe pas prerjes së flokëve apo ndryshimi drastik në pamje. Ai ka thënë se gjithmonë ka dashur që të bëjë një reklamë apo një film, të cilin do ta shfaqte në ekranet e tij”, ka treguar Linder. Ai ka thënë se dëshira e Bashkimit e ka shtyrë që të realizonte një dokumentar, i cili do të ishte fiksion por njëkohësisht do të shkonte edhe nga reklama.
Linder formën e dokumentarit e ka vendosur që ta përdorë për të dhënë detaje të thjeshta mbi personazhin. Reklama zë vend në fund. Aty Bashkimi tregon se ka shpëtuar njerëzimin duke ua prerë flokët. Sipas tij, po të mos e bënte ai një punë të tillë ata do të verboheshin nga flokët. E fiksioni zë vend aty ku karakteret, dëshirat, hobit dhe punët e Bashkimi shfaqen përmes një karakteri.
“Gjatë gjithë kohës së paraproduksionit Bashkimi po bisedonte për filmat me kauboj dhe se ata i pëlqente shumë. Nëse ky film do të ishte vetëm dokumentar, ai do t’iu tregonte që ai është trajner i sportit, që bën xhudo, që është kërcimtar i mirë, këngëtar. Prandaj në vend që të tregonin këto në dokumentar, ne kemi vendosur që t’i vendosim ato në një karakter”, ka thënë Linder. (Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)