23-11-2024

Rrëfimi i Dobrunës: Vetëm pse shiste faculeta gjatë luftës, donte të bëhej veteran

Ish-drejtuesi i Gjykatës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna, thotë se Elez Blakaj ka bërë punë të mirë gjatë hetimit të listave të fryra të veteranëve, ndërsa sipas tij futja në këto lista e emrave të atyre që kanë luftuar vërtetë, po bëhet vetëm për ta dëmtuar hetimin dhe për ta bërë të pa vlefshëm atë. Ai ka shpalosur edhe një rrëfim për Gazetën Express duke treguar se si një person në mënyrë qesharake kishte tentuar ta fitojë statusin e veteranit. Sipas tij, një person që kishte shitur faculeta gjatë luftës i kishte kërkuar mbështetje për t’u bërë veteran.

Dobruna i cili tashmë ushtron edhe profesionin e avokatit në Kosovë, në një prononcim  thotë se rasti i ‘veteranëve të rrejshëm’ teorikisht në bazë të përmasave, mund të konsiderohet si vepër penale. Megjithatë ai thotë që personat të cilët paraqiten vetë për të treguar që janë veteran të rrejshëm, nuk duhet të ndiqen penalisht.

“Në qoftë se është e vërtetë se qenkan 19 mijë e tash edhe 2 mijë që janë shtuar, tash 21 mijë. Teoria juridike shkruan se vepra që ka përmasa shumë të mëdha, si në rastin konkret, atëherë kjo mundet të konsiderohet si vepër penale, teorikisht. Ata që e kanë nisë, mendoj se kishte me qenë ma objektive me iu ndërpre këto edhe mos me u ndjek penalisht, ata që paraqiten vet”, ka thënë ai.

Për të, fakti që në këto lista janë futur edhe emrat e atyre që kanë luftuar vërtetë nën emblemën e UÇK-së, dëshmon se dikush po e bënë këtë kundër Blakajt, me qëllim që ta bëjnë të  pavlefshme aktakuzën e përgatitur ai.

“Janë futur vetëm me shkaktu habi tash kundër këtij Blakajt. Me e konsideru aktakuzën si të pa vlefshme. Hetimi është i mirë, se na kanë marrë fytyrën hajnat. Kjo është hajni” ka shtuar tutje Dobruna.

Për Gazetën Express, ish-drejtuesi i Gjykatës së UÇK-së e ka ndarë edhe një rrëfim mjaft interesant të pasluftës. Një person vetëm pse i kishte shitur faculeta gjatë kohës luftës Dobrunës, kishte shkuar për t’ia kërkuar këtij të fundit një deklaratë se kinse ka qenë ushtar i UÇK-së, në mënyrë që të aplikonte për të fituar statusi e veteranit të luftës.

“ Më ka  ardhë njani ktu: A të kujtohet Baca Kolë që ke ble palloma te unë gjatë kohës luftës, ma ka lyp deklaratën teme që u kanë luftëtar…le allahile. Pastaj fëmija i posalindur, qysh mundet me qenë luftëtar?!- Krejt i ka bo këto vetëdija jonë, nepotizmi, akraballëku. Një sociolog duhet me e bë një studim për shkaqet dhe pasojat e gjithë kësaj”, ka rrëfyer Dobruna.

Ndërkohë sa i përket numrit të vërtet të atyre që kanë luftuar nën ombrellën e UÇK-së, Dobruna i jep të drejtë të plotë Sylejman Selimit i cili ka thënë se në UÇK maksimumi kanë qenë 13 mijë ushtarë.

Ndërsa sa i përket deklarimit të Haradinajt se vetëm në Zonën Operative të Dukagjinit kanë luftuar rreth 60 mijë ushtarë, Dobruna thotë se për këtë duhet pyetur Emrush Xhemajlin.

“Unë për Sylejman Selimin të garantoj që e ka mirë. Sepse ai ka qenë komandant i UÇK-së. E 60 mijë nuk mundem me të thanë, mundesh me e vet Emrush Xhemajlin, ai ka qenë zv.komandant i administratës” ka përfunduar Dobruna.

Për rastin e  ‘veteranëve të rrejshëm’, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave.

Pas ngritjes së aktakuzës, në media kanë rrjedhur edhe listat me emrat e atyre që dyshohet se kanë fituar rrejshëm statusin e veteranit.

Gjithçka që ka shkaktuar konfuzion, ka qenë fakti që në këto lista janë gjetur edhe emrat e disa personave që kanë luftuar vërtetë.

Për këtë gjë, është deklaruar edhe ish-prokurori Elez Blakaj, i cili ka thënë se rreth 2000 emra të rinj janë futur në këto lista.

“Ajo çka po shoh tash nga informacionet e publikuara në media, që i referohen aktakuzës së veteranëve, duke i publikuar edhe emrat dhe të dhënat personale është se janë rreth 2.000 persona, të cilët del se janë shtuar në listën e emrave që janë që janë seleksionuar si përfitues të statusit të veteranit luftëtar në kundërshtim me kriteret e ligjit për veteranët.

Sipas aktakuzës së ngritur, 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 ”veteranët e rrejshëm”, të cilët i ka identifikuar prokurori special i dorëhequr ditë më parë, Elez Blakaj.

Sokol Dobruna gjatë kohës sa kishte ushtruar pozitën e Gjykatësit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kishte dënuar me vdekje Blerim Kuçin e AAK-së, i cili aktualisht mbanë pozitën e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës./GazetaExpress/

 

Asnjë koment

Comments are closed.