Nis asfaltimi i rrugës Malishevë – Kijevë

Rruga Malishevë-Kijevë, sot ka filluar të asfaltohet, në pjesët ku është bërë gërryerja e rrugës dhe pritet që shumë shpejt të përfundoj asfaltimi i saj, ka njoftuar komuna e Malishevës.

Rruga e gjatë rreth 12 kilometra, Malishevë-Kijevë, është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës, sipas njoftimit.

Aty ka filluar riparimi muaj më parë, për shkak të dëmtimit që kishte pësuar ndër vite, ndërsa tani ka filluar edhe asfaltimi i saj, punime të cilat kryhen nga Ministria e Infrastrukturës.

“Gërryerja rrugës, në kuadër të riparimit të saj, deri më tani na ka sjellë probleme në qarkullimin e veturave dhe lëvizjen e qytetarëve, por më në fund edhe këtyre problemeve ju erdhi fundi dhe kjo rrugë besoj që brenda pak ditëve do të përfundoj dhe do të jetë në shërbim të të gjithë banorëve që jetojnë në këtë pjesë”, tha nënkryetari i komunës Hajdin Berisha.