19-04-2024

Rrëfimi i hajnit të shumëkërkuar në Gjilan, këto janë lokacionet në të cilat ia pranoi se vodhi me bashkëpunëtorët e tij

Sot u raportua për arrestimin e të shumëkërkuarit nga Policia e Kosovës për dhjetëra vepra penale, kryesisht vjedhje dhe vjedhje të rënda, Fiton Spahiut.

Fitoni u bë sebep për arrestimin e punonjësit të Policisë, A.H dhe djalit të tij, L.H, të cilët dyshohen se i kanë shitur atij armë dhe substancë narkotike të llojit kokainë.

Fitoni dyshohet se bashkë me Diellza Kosumin, me të cilën janë në lidhje dashurie dhe e cila po pret fëmijën e tyre dhe dy shokë të tij, Lindritin S. dhe Denis Hotin nga Peja, janë autorë të dhjetëra rasteve të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda në markete, barnatore, lokale, shtëpi, autoservis, pemëtari, e në vende të tjera në rajonin e Gjilanit.

Rastet për të cilat dyshohen, planet për vjedhje dhe gjësendet që vodhën

Fitoni i cili e ka pranuar që është përdorues i substancave narkotike, ka një vit e gjysmë që nuk ka bërë një sy gjumë në shtëpinë e tij, që kur Policia e shpalli në kërkim dhe babai e përzuri.

Open photo

Që nga ajo kohë, Fitoni bashkë me “partnerët” e tij dhe të dashurën, banojnë me qira ose pa leje në shtëpi të ndryshme në qytetin e Gjilanit.

Strehë e tyre për 10 ditë është bërë një shtëpi e pabanuar afër lumit Mirusha, në të cilën ata kanë “deponuar” gjësendet të cilat dyshohen se i kanë vjedhur në atë zonë.

Gazeta Sinjali ka siguruar informata eksluzive për lokacionet në të cilat Fitoni ka realizuar vjedhje. Në prezencë të avokatit të tij, Fitoni para hetuesve policorë ka deklaruar se dy vjedhjet e fundit i ka kryer brenda një nate, rreth një javë më parë.

Të dy vjedhjet, ai pohon se janë kryer në lagjen e “Tregut të Gjelbër”, në dy dyqane. Vjedhjen e parë ai thotë se e kanë kryer bashkë me Lindritin dhe Denisin rreth orës 02:00, pas mesnate, pasi që e kishin prerë drynin e lokalit të autopjesëve me darët e armaturës.

Pjesët që i kanë vjedhur, ai ka thënë para avokatit të tij, se i kanë futur në një kontejner plastike, të cilin e kanë marrë në rrugë.

Këtë shportë, ata e kishin shtyrë në këmbë deri te shtëpia afër lumit dhe pjesët e vjedhura i kanë lënë në tavanin e shtëpisë, për t’i shitur më vonë.

Në tavanin e shtëpisë afër Mirushës ata i lanë edhe disa pjesë të ndryshme që shërbejnë për instalimin e ujit që pohon se i vodhi treshja në një dyqan po atë natë, mes orës 03:00 dhe 04:00 të mëngjesit. Edhe këto pjesë thotë se i kanë bartur me metodën e njëjtë, me shportën e mbeturinave që e morën nga rruga.

Ndonëse në shtëpinë ku u strehuan për 10 ditë e mohon të kenë vjedhur ndonjë gjë, në shtëpinë fqinje rreth 200, 300 metra larg saj, Fitoni ka deklaruar se bashkë me Denisin kanë vjedhur një televizor samsung dhe një play station.

Vetëm tri-katër netë më parë, “target” i Fitonit dhe Lindriti u bënë dy markete në lagjen “Arbëria”. Këtu, Fitoni thotë se u mjaftoi një kaçavidë për t’i hapur dyert. Aty, ai ka deklaruar se kanë vjedhur disa pako me cigare dhe monedha.

Derisa Fitoni po bënte bartjen e cigareve për te shtëpia, ai thotë se Lindriti dhe Denisi ia kanë mësyerë lokalit “Play station te Fitorja”.

Kaçavida u mjaftoi për të hapur edhe derën e këtij lokali, por ndezja e alarmit, ua çoi “mundin” huq dhe vjedhja e tyre mbeti në tentativë.

Fitoni nuk e mban në mend saktë datën, por rreth dy, tre muaj më parë rreth orës 01:00 e kujton që bashkë me Lindritin kanë hapur me një kaçavidë derën e një barnatoreje te Salla e Sporteve, përballë Spitalit të Gjilanit.

Aty deklaron se kanë vjedhur monedha në vlerë të rreth 30 eurove.

Gjatë asaj kohe, bashkë me Shkumbinin thotë se kanë hyrë në shtëpinë e një gruaje të moshuar, që ndante oborrin e njëjtë me shtëpinë ku banonte me qira Fitoni dhe Diellza.

Nga e moshuara ai pohon se kanë vjedhur stoli prej ari, të cilën e kanë shitur 1 mijë e 500 euro në një lokal të argjendarisë, te “Tregu i Gjelbër”, në Prishtinë.

Pasi që janë larguar nga ajo shtëpi, Fitoni thotë se tre javë më parë me Diellzën kanë shkuar në një shtëpi të pabanuar afër Spitalit, në lagjen “Kodra e Dëshmorëve”. Ndonëse menduan se gjetën një strehë afatgjate, dikush telefoni Policinë qysh ditën e dytë. Fitoni deklaron se është arratisur, ndërsa Diellzën thotë se e kanë kapur Policia. Megjithatë, në dëshminë e tyre, çifti ka mohuar se kanë vjedhur ndonjë gjë brenda asaj shtëpie.

Pjesët e veturave, cigaret e monedhat, nuk ishin shënjestra e tyre e vetme. Gjashtë muaj më parë, Fitoni u ka thënë hetuesve se bashkë me Lindritin pasi e kanë thyer me gurë derën e hyrjes, janë futur brenda një shtëpie përball kazermës së FSK-në, në Gjilan, në rrugën “Hamdi Kurteshi”.

Në shtëpinë njëkatëshe ai ka dëshmuar se kanë vjedhur disa llaptopë, telefona mobil dhe bizhuteri të ndryshme.

Mirëpo, pajisjet thotë se iu kapën nga Policia në veturën e tipit Golf IV që e kishte marrë me qira, me qëllim që ta kryenin në vjedhje në një banesë në Gjilan. Mirëpo, Policia ua kishte prishur planin dhe kur kishte ikur thotë se në veturë, ku e kishte lënë Diellzën, kishin mbetur edhe këto pajisje, bashkë me një pistoletë me gas.

Këtë armë, Fitoni ka deklaruar se e ka bërë nga një person (emër i njohur për redaksinë), në lagjen “Dardani” në Prishtinë.

Në Prishtinë, por te “Tregu i Gjelbër”, Fitoni ka deklaruar se ka blerë edhe 17 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm që më 1 korrik të vitit 2021 Policia ia gjeti në shtëpi.

Njëri bën roje, të tjerët futen brenda “minierës”

Që planet e tyre të mos dështoin, grupi vendosi që të bënte një “rioganizim”. Në vjedhjen që u krye në një kafeteri në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, pesë muaj më parë, Fitoni mori rolin e rojes.

Ai thotë se ka qëndruar përball kafeterisë, për të vëzhguar terrenin, ndërsa Lindriti dhe Shkumbini kanë hapur derën me kaçavidë dhe brenda lokalit kanë vjedhur monedha.

Fitoni deklaron se bëri roje edhe kur para pesë muajve, me Lindritin e thyen një shtëpi afër varrezave të qytetit, ku ky i fundit dyshohet se ka vjedhur një thikë, një telefon mobil dhe disa bizhuteri.

E edhe kur, Lindriti me Shkumbinin dyshohet se thyen pemëtarin “n’Bashqe”, ku vodhën monedha.

“Kujdestar” Fitoni thotë se u bë edhe gjatë këtij muaji, kur rreth orës 05:00 të mëngjesit, bashkë me Lindritin e Denisin “shënjestruan” marketin “Ena”, në rrugën “7 Shtatori”, afër spitalit.

Në dëshminë e siguruar nga Gazeta Sinjali, Fitoni ka deklaruar se ai ka pritur te pishat, kur dy shokët e tij kanë vjedhur 40 pako me cigare, çokollaa, adaptera, çamçakëza e mbushje telefoni, të cilat i dërguan me qese najlloni te shtëpia afër lumit.

Mirëpo, të gjitha këto gjësende e të tjerat që i grumbulluan te ajo shtëpi përfunduan në duart e Policisë së Kosovës.

Aty Policia gjeti edhe dy radiolodhje, të cilat dyshohet se grupi i përdorur për të komunikuar gjatë vjedhjeve.

Arrestimi i tyre dhe lidhja me zyrtarin e Policisë Arianit Hugurclica dhe djalit të tij, Leulumin

Fiton Spahiu, Lindrit S. dhe Diellza Kosumi u arrestuan gjatë ditës së djeshme në një dhomë hoteli (emër i njohur për redaksinë) në Gjilan.

Arrestimi i tyre u bë vetëm pak orë pasi që Fitoni u takua me punonjësin e Policisë. Nga ai, Fitoni ka deklaruar se ka marrë një pistoletë dhe kokainë, të cilat i ka këmbyer me një gjysmë thesi të zi, të mbushuar me cigare të llojeve të ndryshme.

Në dëshminë e saj të siguruar nga Gazeta Sinjali, Diellza, e dashura e Fitonit, deklaron se armën që thotë se e solli zyrtari i Policisë, e kishte kërkuar Lindriti.

Sipas saj, “pazarin” për armën dhe kokainën Fitoni e kishte bërë me Leulumin, por dërgesën e kreu i ati i tij, Arianit Hugurlica, punonjës i stafit civil në Drejtorinë e Policisë në Gjilan.

Madje, sipas dëshmisë së Diellzës, kjo nuk ishte hera e parë që Fitoni blinte diçja nga Leulumi.

“Fitoni ka shkru me një person me emrin Lum, që jeton **** të Gjilanit. Nuk e di çka kanë diskutu, veç sot, rreth orës 13:00, ka ardhë një person dhe Fitoni ka dalë jashtë hotelit, para gaazhdës dhe ia ka dhanë një allti dhe do kokainë. Pas pak ka ardhë Fitoni brenda edhe ia ka dhënë revolen Lindritit. Aty edhe këta dy kanë pi kokainë. Ky personi që e solli alltinë dhe kokainën është polic. Emrin nuk ia di, po është baba i Lumit, se është e njoh edhe vetë se jam taku disa herë kur u dalë Fitoni me marrë diçka”, ka deklaruar Diellza, para avokatit të saj.

Diellza gjatë kësaj kohe ka qenë në arrest shtëpiak, por këtë masë e pranon që nuk e ka respektuar “dy, tri herë”, kur ka dalë për ta takuar Fitonin.

Fitoni, Diellza e Lindriti, ndodhen në ndalim policor.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali

https://sinjali.com/ekskluzive-sinjali-sjell-rrefimin-e-hajnit-te-shumekerkuar-ne-gjilan-keto-jane-lokacionet-ne-te-cilat-ia-pranoi-se-vodhi-me-bashkepunetoret-e-tij/

Asnjë koment

Comments are closed.