14-04-2021

Rrënimet mbi hekurudhën e Prizrenit (foto-video)

“Infrakos” ka filluar të rrënojë të gjithë ndërtimin e bërë nga pronarët e lokaleve dhe objekteve banesore mbi binarët e hekurudhave.

Komuna ka njoftuar se ky aksion ka filluar nga Stacioni Hekurudhor dhe do të vazhdojë deri në lirimin e gjithë trasesë hekurudhore brenda zonës kadastrale të komunës së Prizrenit.

Të pakënaqur nga këto rrënime janë banorët e objekteve banesore, pronarët e këtyre objekteve dhe lokaleve në afërsi.

Afrim Jahaj, banor në objektin banesor afër të cilit kanë filluar rrënimet thotë për KALLXO.com se Komuna nuk i ka njoftuar për rrënime që po bëhen.

“Nuk jemi informuar nga askush paraprakisht se çka është duke ndodhur. Unë kam qenë në ndërrim të natës, tash erdha nga puna dhe po e shoh këtë rrëmujë”, thotë Jahaj për KALLXO.com.

Ai thotë se pronari i objektit banesor i ka dokumentet e nevojshme për ndërtim dhe se ka leje nga Komuna e Prizrenit.

Jahaj thotë se nuk e di se si do të hyjnë në banesën e tyre pasi që hyrja të cilën e kanë përdorur deri më tani është e bllokuar nga rrënimet.

“Për momentin e kemi vetëm këtë hyrje. Nuk e di nga do të hyjmë në banesë. Nuk kemi asnjë vendim të Gjykatës apo Komunës që është marrë vendimi për rrënim” thotë Jahaj.

Ndërsa pronari i objektit banesor, Destan Hoxha tha për KALLXO.com se ka leje nga Komuna e Prizrenit për ndërtimin e objektit të tij.

“Komuna nuk më ka njoftuar se duhet pëlqim prej hekurudhës. Unë jam me të gjitha dokumentet dhe lejet e nevojshme”, thotë Hoxha.

Ai shtoi se deri më tani kanë paguar të gjitha tatimet e nevojshme.

“Tatimet i kemi paguar të gjitha, mbi 500 mijë euro më kanë shkuar. Këtë e kanë bërë në mënyrë të padrejtë”, shprehet Hoxha.

KALLXO.com ka kontaktuar sot me drejtorin e Infrakos, Rrahim Tërrnava i cili thotë se rrënimet të cilat kanë filluar nga dita e hënë kanë filluar pas shumë procedurave gjyqësore, padive, kallëzimeve penale, derisa është marrë vendim i formës së prerë.

“Jo sot, por që dy ditë, e që tri vite është t`u ndodh kjo. Jemi duke u marrë me këtë problem. Kanë qenë procese që është dashtë me i ndjek procedurat gjyqësore, paditë, kallëzimet penale, deri është ardhë te vendimi i formës së prerë. Është dashtë me ba një marrëveshje me Komunën. Komuna ka marrë përgjegjësi me i rrënu, me i liru të gjitha pronat e Hekurudhës nga çdo cep në Prizren. Është duke u përmbajtur marrëveshja mes Komunës dhe “Infrakos” dhe po lirohen hapësirat e “Infrakos”, tha Tërrnava për KALLXO.com.

Ai theksoi se ndërtimet të cilat po rrënohen gjenden në prona të hekurudhave, duke shtuar se ekziston një vendim i gjykatës për lirim.

Edhe pse banorët dhe pronarët e objekteve banesore thonë se Komuna nuk i ka njoftuar për rrënimet këtë e mohon Tërrnava, i cili thotë se ka pasur njoftime për rrënim por nuk u janë përmbajtur atyre njoftimeve.

“Të gjitha procedurat ligjore për njoftimin për lirimin e pronave të hekurudhës janë tejkaluar, janë marrë masa prej “Infrakos”, janë marrë masa prej departamentit dhe janë liruar pronat. Kanë qenë paditë, ka pasur njoftime pas marrëveshjes prej komunës që largoni vetë, lironi pronat se do të marrim masa dhe nuk i kanë largu”, tha tutje Tërrnava.

Sipas Tërrnavës, Qeveria e Kosovës ka autorizuar “Infrakos”-in që të menaxhojë pronat e Hekurudhave.

“Pronat e Hekurudhës nuk janë prona private as të Komunës, janë prona të shtetit e Qeverisë së Kosovës dhe Qeveria ka autorizuar “Infrakos”-in për menaxhim të pronës. Ne kemi të drejtë me menaxhu pronën dhe kemi marrë masa”, tha Tërnava.

Asnjë koment

Comments are closed.