Zvogëlohen rastet e fëmijëve “problematik” në trafikun e Prizrenit

Për dallim nga veprat tjera të kundërligjshme nga të miturit në rajonin e Prizrenit, si armëmbajtjet e tjera, numri i të cilave ka pasur ngritje, në periudhën 2016-2017 rënie kanë shënuar vetëm rastet kundër pasurisë dhe ato që kanë të bëjnë me kallëzime për rrezikimin e trafikut, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Derisa më 2016 në Prokurorinë Themelore në Prizren, në punë kanë qenë 111 raste me 139 persona të akuzuar për trafikun, një vit më pas ky numër është përgjysmuar, pasi me 2017  ka pasur 54 kallëzime me 58 persona.

Në këtë rast del se më pak janë 57 raste, dhe 81 persona. Në këtë kontekst do përmendur një rast i rëndë që pata ndodhur në Reqan të komunës së Suharekës, kur një i mitur merr në veturë shokët e tij, ndërsa pasi bëjnë disa kilometra shkakton aksident, ku si pasojë dy shokët e tij vdesin.

Nazan  Shero, prokurore në Departamentin për të mitur pranë Prokurorisë Themelore në Prizren,  thotë se në disa raste të veprimeve delikuente, fëmijët arrijnë të vetëdijesohen dhe ndërpresin devijimin, por në disa raste të tjera ata vazhdojnë me sjellje të njëjta dhe në disa raste përfundojnë si madhor dhe përsëritës të veprave.

Edhe sa i përket kallëzimeve kundër pasurisë, del se në dyvjeçarin 2016-2017 kanë qenë 204 kallëzime ndaj 245 personave. Krahasuar me vitin paraprak, pra 2016 kur janë regjistruar 111 raste me 139 persona,  më 2017 kanë ndodhur 18 raste më pak, pasi kanë qenë 93 kallëzime me 106 persona.

Sa i përket vendimeve të Gjykatës Themelore në Prizren, gjatë kësaj periudhe del se ndaj 18 personave është marrë aktvendim për shqiptimin e masës së diversitetit, ndaj 134 personave është marrë vendim për shqiptimin e masës edukative, derisa ndaj 1 personi është marrë aktgjykim dënues./GazetaePrizrenit.net/