Rritet çmimi i kafeve në disa lokale në Kosovë, AKK paralajmëron hetim
Pas mbylljes së fundit që zgjati dy javë disa nga lokalet e gastronomisë pas hapjes kanë vendosur që të rrisin çmimet e kafesë.
Pos ankesave të qytetarëve për këtë veprim gastronomëve u dha vërejtje edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Drejtori i AKK-së, Valon Prestreshi, thotë se këto lokale me marrëveshje mes vete kanë rritur çmimet, duke paralajmëruar hetim nga ana e tyre.
Prestreshi i ka bërë thirrje Shoqatës së Gastronomëve që të distancohet nga kjo dukuri.
Njoftimi i plotë:
Gjithë ato ankesa, gjithë ato protesta, gjithë ai presion që u ushtrua nga sektori i gastronomisë, kundrejt masave të vendosura nga Qeveria për ta parandaluar infekcionin Covid 19, e që kishin të drejtë në disa raste, tani po të njejtit gastronomë në disa qytete të Kosovës kanë vendosur që bashkarisht me marrëveshje t’i ngrisinë çmimet e kafeve dhe produkteve tjera. Kjo formë e ngritjes së çmimit është e ndaluar, andaj para se të inicoj procedura hetimore Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, si titullar i këtij institucioni fillimisht i bëjë thirrje Shoqatës së Gastronomëve, që ata të distancohen nga këto sjellje të gastronomëve dhe të bëjnë thirrje për ndalim të këtyrë veprimeve.
Në të kundërtën, derën e parë që do ta trokasim është dera e shoqatës së gastronomëve.