25-04-2024

Sa i plotësojnë kushtet pishinat e Prizrenit?

Nga katër pishinat sa funksionojnë në komunën e Prizrenit, inspektorati sanitar që vepron në kuadër të Komunës, tashmë ka kontrolluar vetëm dy sosh, ndërsa në njërën ka vërejtur më tepër parregullsi, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.

 

Prizreni vlerësohet si qyteti më i ngrohte në vend. Edhe pse fundi i qershorit dhe ditët e para të korrikut ishin me të reshura të shiut dhe të ftohta për këtë periudhë, vitet e tjera temperaturat maksimale këtu janë regjistruar deri në 39 gradë të celsiusit.

 

Për të kërkuar freskinë nga vapa, një numër i qytetarëve, sidomos fëmijët dhe të rinjtë i drejtohen pishinave.

 

Drejtori për Inspektorate, Islam Thaqi ka thënë se pishina që vepron në kuadër të SHPK “Gold-Pool-Club”, përjashtuar mungesën e librezës sanitare për personel dhe kontratën me Institutin e shëndetit publik për përcaktimin e parametrave kimiko-bakteriologjik të ujit, kushtet tjera i ka të plotësuara konform rregullores.

 

“Te pishina “Hiti” janë vërejtur më shumë mangësi, përfshirë mungesën e klorit residual të ujit, gjë që ka rezultuar se uji nuk dezinfektohet dhe se për të njëjtën gjë nuk posedon kontratë me institutin e autorizuar për analizat kimike dhe bakteriologjike”, ka thënë ai për “Gazetaeprizrenit.net”.

 

Thaqi ka konfirmuar se së shpejti do të bëhet kontroll edhe në pishinat “Isa Petrol” dhe në atë “Universi” në Vërmicë.

 

Qytetarët  Ergin Bytyqi, Besmir Gashi dhe të tjerë, që thanë se zakonisht shkojnë në pishina, sidomos gjatë fundjavës, duke folur për higjienën thonë se uji fillimisht është i pastër, por pastaj cilësia e tij bie varësisht edhe nga kujdesi i klientëve, ndërsa më keq është ku aty ndodhen më shumë fëmijë.

 

Përpos pishinave, një pjesë e prizrenasve gjatë ditëve me vapë, freskim gjen edhe në lumenjtë e këtushëm, sidomos në Drinin e Bardhë dhe në Lumbardh./gazetaeprizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.