SBASHK: Korrigjim të ligjit për paga, në të kundërtën të shtunën protestë
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë u ka dërguar një letër kryeministrit Ramush Haradinaj dhe zyrtarëve tjerë qeveritarë se do të fillojnë një protestë të shtunën, nëse nuk korrigjohet projektligji për Paga.
“Nga e hëna kur Qeveria e Kosovës ka votuar Projektligjin për pagat SBASHK-u ka bërë një analizë të tij dhe ka vërejtur se versioni i votuar që do të mbështetet me dhjetëra e dhjetëra milionë shtesë nga buxheti i Kosovës do të mundësojë ngritjen e dukshme të pagës për shumicën e se publik, por jo edhe për sektorin e arsimit dhe atij të kulturës . Ky Projektligj prandaj edhe vlerësohet si diskriminues , degradues e nënçmues ndaj të punësuarve në arsim dhe kulturë. Kjo ka bërë që SBASHK duke dëgjuar zërin e punëtorëve të arsimit nga e tërë Kosova të nis përgatitjet për veprime konkrete sindikale duke filluar me një protestë të shtunën, më 8 shtator , para Qeverisë e për të vazhduar pastaj , nëse Qeveria nuk reflekton dhe nuk e kthen Projektligjin për korrigjim në Ministrinë e Administratës Publike, me veprime tjera sindikal e”, thuhet në letrën e SBASHK-ut.
Për situatën e krijuar dhe për tensionet e ngritura në tërë sistemin arsimor SBASHK-u ka informuar me shkresa zyrtare kryeministrin Haradinaj, zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli dhe Fatmir Limaj, dhe ministrin Shyqiri Bytyqi, duke kërkuar nga ata që të kthehet për korrigjim Projektligji i pagave ose në të kundërtën në sistemin arsimor do të fillohet me veprime sindikale./k.net