23-11-2024

SBASHK-u: E hëna ditë pushimi

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka dalë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës që e hëna, 30 nëntor, të jetë ditë e rregullt pune. Në një njoftim për media, SBASHK-u ka thënë se e hëna për ta është ditë pushimi.

Të premten, kryeministri Avdullah Hoti njoftoi se të hënën do të jetë ditë e rregullt pune dhe s’do të ketë pushim për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.

“Në të gjitha institucionet shtetërore, në institucionet arsimore në të gjitha nivelet, do të punohet me orar të rregullt, në përputhje me masat anti Covid të ndërmarra nga Qeveria. Ky vendim vjen si solidarizim me të gjithë ata të cilët janë në linjën e parë të frontit me pandeminë Covid- 19, punëtorët shëndetësor, stafin mbështetës në institucionet shëndetësore, polici dhe inspektorat, të cilët janë duke punuar për disa muaj me radhë pa asnjë ditë pushimi”, kishte shkruar ai.

Lexo edhe:

Prizreni bëhet me Monumentin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Ndërkaq, SBASHK-u ka thënë se me kalendarin për këtë vit shkollor e hëna është ditë pushimi.

“SBASHK duke u bazuar në konsultimet dhe kërkesat e anëtarësisë kujton se me kalendarin për këtë vit shkollor dita e hënë e 30 nëntorit është ditë pushimi dhe apelon te punëtorët e arsimit , që të martën me energji të reja dhe në shenjë të lartësimit të kujtimit për flamurin kombëtar, komandantin legjendar Adem Jashari e heronjtë e dëshmorët tjerë të kombit ta vazhdojnë betejën për dituri të reja dhe për përfundimin me sukses të gjysmëvjetorit të parë sipas Kalendarit të MASH për këtë shkollor. Të premten punëtorët arsimor në fillimet e orëve të para të mësimit kanë bashkëbiseduar me nxënësit për 28 Nëntorin e flamurit kombëtar dhe të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe pastaj kanë treguar se bazuar në Kalendarin për këtë vit shkollor, aprovuar nga MASH e hëna është ditë pushimi dhe kështu edhe do të jetë”, thuhet në reagim të SBASHK-ut.

Apelin e Hotit, kjo sindikatë ka thënë se duhet të lihet të përdoret për ndonjë festë tjetër e jo për atë të flamurit.

“SBASHK-u kujton se me punëtorët e arsimit janë solidarizuar që moti me mantelbardhët dhe me policinë duke mbajtur procesin mësimor në kushte tepër të rënduara e duke u përballur me Covidin me masa modeste mbrojtëse. Punëtorët e arsimit dhe nxënësit e meritojnë dhe duhet të pushojnë të hënën për ta ndjerë sado pak atmosferën festive e për të lartësuar kujtimin për heronjtë e dëshmorët e kombit, që i sollën lirinë këtij trualli”, thuhet më tej në komunikatë.

Asnjë koment

Comments are closed.