23-11-2024

Selmanaj: Prizreni nuk po qeveriset nga Zyra e Kryetarit, vendimmarrja është diku tjetër

Kreu i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, Driton Selmanaj, ka deklaruar se Prizreni ka kohë që nuk qeveriset nga Zyra e Kryetarit, por vendimmarrja është diku tjetër, raporton Gazeta e Prizrenit.

“Nuk duhet lejuar që të tërhiqet vendimmarrja nga Zyra e Kryetarit, sepse atëherë bëhet fjalë për sjellje parapolitike,  që është karakteristikë e një shoqërie primitive, ku vendimmarrja është nga të fortët, e ata nuk maten me votë”, ka thënë ai.

Në një deklarim përmbyllës të vitit, Selmanaj tha se për fat të keq si me PDK-në ku vendimmarrja  është transferuar diku tjetër,  kjo fatkeqësisht ka ndodh edhe gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes në Prizren.

“ LDK nuk do ta lejojë këtë praktikë. Qytetarët tashmë e kanë parë mënyrën e qeverisjes së tri forcave kryesore: LDK-së, PDK-së dhe VV-së, andaj ne do të punojmë seriozisht ta rikthejmë  modelin e mirë të LDK-së”, tha ai përcjell Gazeta e Prizrenit.

Selmanaj tha se fokusi do të jetë që LDK të rikthehet në parti fituese dhe se në zgjedhjet e ardhme lokale,  ky subjekt në asnjë mënyrë nuk do të garojë për të qenë e treta.

Ai në fund ka uruar të gjithë qytetarët për një vit sa më të mbarë gjatë 2024-tës! /Gazeta e Prizrenit.

Asnjë koment

Comments are closed.