26-04-2024

Servilizmi i gërditshëm karshi pushtetit në Prizren

Dukuria që ra në sy edhe pas zgjedhjeve të fundit lokale në Prizren, ku pati ndërrim pushtetesh, e që për fat të keq po shënon rritje, është servilizmi, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Një formë e këtillë mund të shihet edhe në rrjetet sociale. Një ditë më parë, Kryetari i ri i Komunës, Shaqir Totaj, ka njoftuar se sapo ka arritur mbi 20 mijë pëlqime në faqen e tij në “facebook”.  Për dallim nga koha kur ai ishte në opozitë (5 muaj më parë) numri i pëlqimeve në faqen e tij, tashmë jo që është rritur, por ka pësuar ngritje rapide, është shumëfishuar. Ndryshe, ndërkaq po ndodh me ish-Kryetarin, Mytaher Haskuka.

Atij jo vetëm që po i bie numri i “like-ve”, por po i largohen edhe njerëzit e dikurshëm. Sipas informacioneve tona ish-drejtorë, të cilët Haskuka i proklamonte si të suksesshëm, bashkë me disa argatë të tyre, tashmë u janë vardisur pushtetarëve të rinj. Kjo po ndodh edhe me disa ushtrues detyre shkollash, që disa herë kishin ndërruar parti, e të cilët në disa raste nga kolektivet konsideroheshin edhe si “të dhunshëm”. Për shkak të servilizmit të tyre dhe interesit të zyrtarëve për tenderë, investimet komunale pa ndonjë prioritet kryesisht përqendroheshin në shkollat e tyre, duke i anashkaluar institucionet e tjera të mëdha, madje edhe në rastet kur nevojat ishin emergjente.

Servilët përshkruhen si njerëz, që për të gjetur një vend në një shoqëri të caktuar janë të gatshëm të ulen deri në pikën e fundit, pa pasur respekt as për veten, duke zhdukur çdo lloj mendimi të ndryshëm nga ai i atyre, që në një farë mënyre ”adhurohet”, pra janë njerëz me karakter e vlera të ulëta njerëzore.

Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe jepet shpjegim: servil,-i m sh-ë (t), edhe si mb. Që u përulet e ju bën lajka eprorëve, më të fuqishëm etj., për përfitime vetjake, puthador ( që të gjitha të thëna në kuptimin negativ të fjalës).

Ndonëse nuk janë bërë as dy muaj nga fitorja e Totajt, jo vetëm nga numri i pëlqimeve, por edhe nga ajo që kemi parë, del sheshazi një servilitet gërditës ndaj njeriut më të pushtetshëm në Prizren. Kjo shihet edhe nga fotot e postuara, deri në kacavjerrje, gjatë urimeve për marrjen e postit, të cilit si kryeopozitar as disa kryetarë nëndegësh të partisë së tij nuk “ia bënin Like”, madje as kur publikonte kritika goditëse ndaj pushtetit, sikur në rastin e mëposhtëm, kur kishte marrë vetëm 85 “Like”.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Është për të të ardhur keq, kur sot sheh afër Kryetarit, njerëz të cilët deri dje, jo vetëm që ishin deklaruar skeptik që Totaj as që mund ta arrinte balotazhin ndaj ish-kryetarit Haskuka, por ata edhe e kishin luftuar haptas. Të njëjtit sot, shtiren si miqtë më të mirë të kryetarit, aq sa njëri prej tyre për të ruajtur pozitën, ku pothuajse në çdo postim të Haskukës shkruante mesazhe lavdi e përkrahëse, menjëherë pas fitores së Totajt, kishte deklaruar se ishte më i lumturi dhe që për këtë ditë kishe punuar pa pushim.

Një përkrahës besnik tregoi se si e kishte larguar nga tubimi i fitores për Totajn në “Shatërvan” një afarist, derisa po mbante pankartën “Liria ka emër”, meqenëse të njëjtin në drekë e kishte takuar, duke lobuar për fitoren e Haskukës, në lagjen “Kurilla”.

Për të të ardhur keq është ajo se edhe vetë pushtetarët i duan servilët, u pëlqejnë t’i mbajnë afër ata, pasi u pëlqejnë të marrin vetëm fjalë të ëmbla, elozhe apo edhe t’i përdorin për spiunazh, meqenëse në mungesë dinjiteti, këto shërbime nuk ua ofron askush më mirë se puthadorët e sahanlëpirësit. Kjo është vërejtur tek disa pushtetarë në Prizren, bile një nga kryetarët përkundër që njihej si “kalibër”, pas një kohe të tolerancës së kësaj dukurie, vetë filloi të neveritej nga veprimet e tyre, duke shpërthyer pastaj në mosdurim.

Pushtetarët parapëlqejnë të afrojnë rreth vetes njerëz, të cilët më parë me përbuzje i quanin “përfitues”, ndërsa këtë e shohin si rrugën më të lehtë e pa kthesa të rrezikshme, në karrierën e tyre politike.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Askush më mirë se ky soj kameleonësh, nuk ua “turbullon” ujin dhe nuk ua “prish gjumin” shefave, duke i lartësuar së tepërmi, madje edhe si të pazëvendësueshëm.

Konkretisht ata tërhiqen drejt njerëzve me pozitë si kandrrat drejt dritës. Servilët që kanë prirjen  për nuhatje e vërsulje ndaj pushtetit të ri, të cilit do t’i shërbejnë me po aq devotshmëri dhe servilizim, sepse për këtë tashmë janë të specializuar.

Ndryshe ndërkaq vepronte publicisti, diplomati e kritiku, Faik Konica. Ai e përbuzte servilizmin e ç’maskonte mosdijen,  i ironizonte ambiciet e njerëzve të pazotë.

Qartësisht, zhvillimet progresive asnjëherë nuk kanë ndodhur nga servilët apo butakët, por nga njerëzit me integritet. Andaj, pa marrë parasysh epilogun e atyre që kanë “dinjitet personal”, të atyre që zgjedhin të mos bëhen hyzmeqarë, por të ecin përpara me forcat vetjake, ata do të jenë përherë fitimtarë të padiskutueshëm. /GazetaePrizrenit.net /

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

Asnjë koment

Comments are closed.