Shifra alarmante, 88 të vdekur nga aksidentet për 10 muaj në Kosovë
Orët e fundit të ditës së martë ishin fatale për një grua në rrugën “C” në kryeqytet. Goditja nga një veturë mbrëmjen e 28 nëntorit ishte fatale për jetën e saj.
E ngjashëm si tashmë e ndjera, aksidentet në komunikacion ua kanë marrë jetët edhe 88 personave të tjerë gjatë 10 muajve të këtij viti. Kjo shifër e frikshme tashmë është kthyer në normalitet, thotë eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.
Sipas tij, sa është faji i ngasësve po aq edhe i institucioneve që ky numër nga vitit në vit po kthehet po rritet.
“Na jemi mësu më këto shifra, na e kemi cek disa herë shkaktarët e aksidenteve në komunikacion, duhet ta kemi një vetëdije kolektive e ajo bëhet nga institucionet tona. Vendosja e kamerave, radarëve statik dhe ta krijojmë një Polici brenda për brenda qyteteve”, ka Ahmeti në TV Dukagjin.
Sipas të dhënave të Policisë, nga janari deri në tetor, janë regjistruar gjithsej 81 aksidente të tilla me 88 viktima.
Ndërsa janë regjistruar 7288 aksidente me lëndime, me gjithsej 14 mijë e 110 persona të lënduar. Numri total i aksidenteve për këta 10 muaj, sipas policisë, është 19 mijë e 493.