24-09-2021

Shoqëria civile: Vizitat e zyrtarëve të lartë jashtë vendit pa asnjë rezultat

Vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës, përfshirë atë të presidentes Vjosa Osmani në Turqi, e kryeministrit Albin Kurti në Francë, po i shohin pa rezultate pozitive konkrete, shoqëria civile.

Njohësi i politikave të jashtme, Arbnor Sadiku ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se zyrtarët kosovarë janë prezantuar me një politikë që mbështetet te forca apo “real politika”.

Sipas Sadikut diçka e tillë nuk do të duhej të ndodhte meqenëse Kosova është një shtet i vogël dhe kjo gjë nuk do t’i konvenonte.

“Vizitat të cilat kanë qenë të kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani jashtë vendit konsideroj që ato janë reprezentim i Kosovës në arenën ndërkombëtare megjithatë ne nuk kemi parë ndonjë njohje të re apo përmirësim të dialogut në kuptimin që kemi pasur një ngritje të nivelit. Kosova ka shkuar atje me një real politikë e cila nuk i konvenon sepse dihet që Kosova është një vend i vogël dhe prezantimi i saj në arenën ndërkombëtare me tipe të politikave që janë real politikë që mbështeten te forca nuk i shkon sepse ne jemi vend që kemi një GJDP të vogël, ushtri ende të paformuar mirë dhe kemi mbi të gjitha shtetësinë e papërfunduar në kuptimin e asaj që nuk jemi të pranuar në Këshillin e Evropës, Interpol, UNESCO dhe OKB”, është shprehur ai.

Sadiku ka thënë se zyrtarët kosovarë duhet të prezantohen me një politikë liberale apo siç e quan ai “diplomaci e butë”, në kuptimin e gatishmërisë për bashkëpunim me miqtë ndërkombëtar.

“Andaj ne si Kosovë duhet t’u kthehemi politikave liberale që përmes diplomacisë së butë ta arrijmë qëllimet të cilat janë; Integrimi në BE dhe pranimi i Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Si këshillë për liderët tanë do të ishte që të kthehen nga real politika në politika liberale që ne të promovojmë atë pjesën e butë të Kosovës në kuptimin që ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me miqtë tanë ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje me Serbinë që i mundëson Kosovës integrimin më të shpejt në Bashkimin Evropian dhe OKB”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër profesori, Dritëro Arifi ka thënë në një intervistë se meqenëse politika e jashtme varet nga ajo e brendshme zyrtarët shtetëror duhet të punojnë në drejtim të një klime pozitive brenda Kosovës.

“Çdo vizitë që bëhet jashtë vendit nga kryeministri, ministrat e presidentja ndikon gjithmonë pozitivisht në imazhin e vendit sepse do të ketë takime bilaterale dhe multilaterale ku kjo është shkëmbim idesh e përfaqësim i Kosovës. Por politika e jashtme është prodhim i politikës së brendshme, nëse ne krijojmë raporte pozitive brenda Kosovës sepse mos të harrojmë ne këtu kemi thuajse të gjitha ambasadat e vendeve që kemi marrëveshje bilaterale dhe këto ambasada raportojnë që zakonisht qeveritë e vendeve mikpritëse kur shkon kryeministri apo ministrat ata i besojnë më shumë raporteve të ambasadave të veta”, është shprehur ai.

Arifi ka thënë gjithashtu se duke prodhuar raporte të mira brenda vendit si shoqëri e politikëbërje krijohet imazh pozitiv dhe besueshmëri e asaj se çka thotë përfaqësuesi ynë jashtë vendit.

“Nëse ne prodhojmë raporte të mira brenda Kosovës, kemi një sistem gjyqësor të shëndoshë, nuk ka afera korruptive, krimi i organizuar është nivel shumë i ulët, kështu krijohet një imazh pozitiv mandej kur edhe kryeministri flet krijon një besueshmëri të asaj çka e thotë, pra institucioni i Republikës së Kosovës. Duhet të ketë një balancë brenda politikës së brendshme kosovare se çka prodhojmë si shoqëri dhe politikëbërje”, është shprehur ai.

Sipas Arfit as vizita e presidentes Osmani në Turqi, as ajo e kryeministrit Kurti në Francë nuk kanë dhënë ndonjë rezultat konkret pozitiv, raporton EO.

“Presidentja Osmani bëri një vizitë shumë të mirë, ku përfaqësimi ka qenë në nivel të mirë, duke qenë përfaqësim për herë të parë presidentja e re pas zgjedhjeve që është shumë pozitive dhe nga përgatitja e saj profesionale e akademike përfaqësimi është në nivel të mirë”.

“Në anën tjetër edhe kryeministri Kurti pati një vizitë shumë serioze nga aspekti i protokollit por nëse nisemi nga aspkti i përmbajtjes ne nuk e kuptuam se cila ishte arsyeja kryesore e vizitës, çka prodhoi ajo vizitë, kuptuam që vetëm çështja e vizave ka një besueshmëri. Vizita e Kurtit ka qenë shumë e rëndësishme në aspekti politik por në aspektin kontraktal nuk është se ka prodhuar ndonjë marrëveshje që ka përfituar Kosova në raport me Francën”, ka thënë ai.

Asnjë koment

Comments are closed.